Fieri përfshihet nga reshje të dendura shiu, trafik dhe ndërprerje energjie në disa zona

Edhe qyteti i Fierit është përfshirë mesditën e sotme nga reshje të dendura shiu dhe stuhi ere, ashtu siç kishte paralajmëruar shërbimi meteorologjik.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga Fieri Web, për shkak të motit të keq në rrugët e qytetit është krijuar trafik, ndërsa automjetet lëvizin me shpejtësi të ulët dhe drejtuesit po tregohen të kujdesshëm në timon.
Në disa lagje të Fierit është ndërprerë energjia elektrike, ndërkohë që në aksin rrugor Fier–Cakran disa pemë janë rrëzuar si pasojë e stuhisë.

Ndërmarrja e shërbimeve publike ka qenë në gatishmëri të plotë për pastrimin e shimbledhësve, me qëllim shmangien e përmbytjeve në rrugët kryesore të qytetit.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.




