Fieri po rimerr hapësirat publike – qytetarët falënderojnë Bashkinë për ndërhyrjet

Prej tre muajsh në qytetin e Fierit po zhvillohet një nga aksionet më të mëdha për lirimin e hapësirave publike, një ndërhyrje që synon t’i japë fund një problemi që ka ekzistuar prej dekadash.
Mijëra objekte dytësore, si garazhe, lavazhe, depo dhe rrethime të paligjshme, janë çmontuar dhe shembur në lagje të ndryshme të qytetit. Ajo që fillimisht u konsiderua nga shumë qytetarë si një aksion rutinë, sot po rezulton një ndërhyrje e rëndësishme për t’i dhënë fund zaptimit të hapësirave të përbashkëta.
Fenomeni i zaptimit të hapësirave midis pallateve dhe banesave nisi pas viteve ’90, kur shumë banorë ndërtuan rrethime apo struktura betoni në zona që në fakt janë pronë publike. Për vite me radhë, këto zaptime kanë krijuar konflikte mes banorëve dhe kanë kufizuar përdorimin e hapësirave nga komuniteti.
Falë ndërhyrjes së Bashkisë Fier, këto hapësira po çlirohen gradualisht dhe po rikthehen në mjedise të hapura për qytetarët, duke krijuar mundësi për hapësira çlodhëse, gjelbërim dhe ambiente rekreative për familjet dhe fëmijët.
Prej një jave, fadromat e Inspektoratit Ndërtimor dhe Policisë Bashkiake janë përqendruar në lagjen “Kastriot”, ku po vijon shembja e rrethimeve dhe objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Pas ndërhyrjeve në lagjet periferike, aksioni do të shtrihet edhe në zonat pranë qendrës së qytetit.
Banorët e zonave ku po zhvillohet aksioni shprehen të kënaqur për këto ndërhyrje, duke theksuar se hapësirat që prej vitesh ishin të zaptuara po rikthehen në shërbim të komunitetit. Ata kanë shprehur gjithashtu falënderime për Bashkinë e Fierit dhe për kryetarin Armando Subashi, për angazhimin në lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike në qytet.




