Fieri vijon festimet kuqezi për 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit
Një ditë pas atmosferës festive të 28 Nëntorit, Fieri ka vijuar aktivitetet për Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në orën 10:00, në Varrezat e Dëshmorëve u zhvillua ceremonia zyrtare, ku morën pjesë autoritetet më të larta vendore, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Policisë së Fierit dhe komuniteteve fetare. Të pranishmit vendosën kurora dhe buqeta me lule pranë obeliskut kushtuar dëshmorëve.
Fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, Vangjel Ndreko, i cili theksoi se lufta nacionalçlirimtare është një pasuri e çmuar kombëtare që duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.
Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku Armando Subashi vlerësoi sakrificën e dëshmorëve të Fierit që dhanë jetën për lirinë e sotme. Sa i përket mungesës së opozitës në ceremoni, Subashi u shpreh se “është një vendim i tyre, por ne jemi në anën e duhur”.
Ndërkohë, për herë të parë, në homazhe u bashkua edhe forca politike “Lëvizja Bashkë”. Kreu i degës së Fierit, Elis Baba, deklaroi se lëvizja që ai drejton është një forcë antisistem dhe se nderimi i sakrificës së të parëve duhet bërë çdo ditë, jo vetëm në data të caktuara historike.




