Finalizohet operacioni policor “Haze” në Sarandë, arrestohet një 35-vjeçar për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Sarandës ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Haze,” duke arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar nga Delvina, i dyshuar për prodhimin dhe shitjen e vajit të kanabisit, si dhe për mbajtjen e armëve pa leje.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga strukturat policore, që raportuan se shtetasi po transportonte lëndë narkotike në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, me qëllim shitjen në qytet.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e të dyshuarit, shërbimet e policisë sekuestruan:
• 3.5 litra vaj kanabisi
• 1 armë zjarri automatik kallashnikov
• 1 armë të ftohtë (thikë)
• 3 krehëra dhe municione luftarake
• Një sasi kanabisi në formë çokollate
Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme ligjore. Policia e Sarandës konfirmon angazhimin e saj të palëkundur në luftën kundër krimit dhe garantimin e sigurisë publike.