FIRON ADMINISTRATA/ 17.1% e vendeve të punës bosh, shkaqet nga pezullimet tek emigrimi
Në vitin 2023 mbi 17 për qind e vendeve të punës në administratë ishin të paplotësuar me punonjës.
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit civil vëren në raportin vjetor të vitit të shkuar se numri i vendeve vakante ka ardhur në rritje nga viti në vit.
“Shifrat e vendeve vakante vazhdojnë të mbeten të larta. Kjo shifër prej 17.1% që rezultoi në fund të këtij procesi është rritur me 1.6% krahasuar me rreth 15.5% që rezultoi në fund të procesit të mbikëqyrjes së kryer në vitin 2021, ku të dhënat u administruan për një periudhë 3-vjeçare (2019-2021)” thuhet në dokument.
Për të kuptuar arsyet se pse këto vende bosh nuk arrijnë të kompletohen Komisioneri ka kërkuar të dhëna nga Departamenti i Administratës Publike dhe pas kësaj janë konstatuar tre arsye: ligjore, b) arsye që për shkak të dinamikave që ndodhin me marrëdhënien e punës së nëpunësve civilë, është e pamundur të parashikohen dhe planifikohen në fillim të vitit, si dhe c) arsyet që nuk varen nga veprimet apo mosveprimet e nëpunësve apo funksionarëve që ushtrojnë autoritet administrativ, publik.
Në raport Komsioneri rendit më të detajuara këto arsye që shkaktojnë vakancat në administratë kur ndër të tjera dorëheqjet apo pezullimet e deri tek migrimi i popullsisë. Më poshtë lista e plotë e arsyeve:
Ruajtja e vendeve vakante për punonjësit me status të veçantë, për të cilët, në përfundim të detyrës së tyre, ligji i posaçëm parashikon emërimin e tyre në pozicionet vakante pjesë e shërbimit civil apo në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për rikthimin në detyrë të nëpunësve civilë.
Dorëheqjet dhe pezullimet nga shërbimi civil për një kohëzgjatje më shumë se 3 muaj. Mobiliteti i nëpunësve civilë brenda sistemit të shërbimit civil nëpërmjet aplikimit të institutit të lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë apo transferimit të përhershëm.
Largimi nga shërbimi civil për shkak të masave disiplinore apo lirimi nga shërbimi civil për çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.
Zhvillimi i fushatës elektorale për zgjedhjet vendore.
Përshtatja e pozicioneve të punës me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 31.5.2023, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”.
Numri i ulët ose mungesa e aplikantëve që zotërojnë diploma në fusha specifike ose mungesa e interesit për pozicione pune në vende të caktuara, jashtë qyteteve apo në bashki të nivelit të dytë dhe të tretë për shkak të pagave të ulëta apo largësisë me qendrën e banimit, të cilat çojnë në përfundimin e procedurave të rekrutimit pa asnjë fitues.
Mosplotësimi në kohë i mangësive në dokumentacion nga ana e kandidatëve të paraqitur./MONITOR