Fitorja e thellë e PS në Fier, Balluku ia dedikon kandidatëve: Ceno Klosi kryeson me mbi 16 mijë vota. U përfaqësuam nga njerëz që janë lindur e rritur këtu!

Teksa në KZAZ-në nr. 60 në Fier po numërohen kutitë e fundit për votat preferenciale, drejtuesja politike e qarkut, Belinda Balluku, në një prononcim për mediat, fitoren e thellë të Partisë Socialiste ia dedikoi emrave të kandidatëve cilësorë.
Ajo veçoi Ceno Klosin dhe Asforaj Haxhiun, mjekun lushnjar, të cilin e vlerësoi maksimalisht, ndërsa ndjesën publike ndaj demokratëve, të deputetit Luan Baçi për humbjen e thellë në këto zgjedhje, Balluku e cilësoi si një akt qytetarie.
Sa i përket votës së diasporës, Balluku pohoi se tashmë po numërohen votat nga Greqia, ku pritshmëritë janë tepër të mëdha. Ajo i konsideroi të sigurta 12 mandatet, ndërsa minimizoi mundësinë që Nisma-Shqipëria Bëhet të marrë një mandat në Qarkun e Fierit.
Belinda Balluku: Përsa i përket votës preferenciale e vlerësoj shumë se tregon që kemi bërë një zgjedhje të mirë në skuadrën tonë. Vota preferenciale është e shpërndarë në të gjithë listën, por nga ana tjetër kemi vendet e para siç është Ceno Klosi që kryeson listën me mbi 16 mijë vota, rasti i mjekut Asforaj Haxhiu nga Lushnja rreth 12 mijë vota apo rasti i Antoneta Dhimës më e votuara nga femrat mbi 6 mijë vota. E gjithë kjo tregon që kemi bërë zgjedhje të mira dhe nga ana tjetër kësaj radhe kemi patur një përfaqësim me njerëz që janë lindur dhe rritur këtu. Ceno Klosi ka lindur në Fier, është rritur dhe shkolluar këtu pastaj me kontribute në PS, me arritje në karrierën e tij. Siç është edhe rasti i Altit, vjen nga një familje socialiste në thelb, por ama është vlerësuar edhe për faktin që është një nga kirurgët më të mirë në Shqipëri, jo vetëm në Qark dhe njerëzit e njohin personalisht. Tregon që këtu është bërë një fushatë që njerëzit kanë arritur të njohin kandidatët se po të shohësh votat janë të shpërndara sipas zonave ku ata kanë punuar. Kjo tregon të gjithë suksesin e fushatës.
Nëse zoti Baçi e ka pranuar publikisht tregon qytetari dhe profesionalizëm.
