Flakët rrezikojnë depot e naftës në Drenovë – Situata jashtë kontrollit

Zjarri i përmasave të mëdha që ka përfshirë zonën pyjore të Drenovës në Mallakastër po shënon përkeqësim të mëtejshëm, duke vënë në rrezik serioz depot e naftës dhe nënstacionin elektrik të zonës.
Pavarësisht angazhimit të dhjetëra forcave zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Patosi, Albpetroli dhe ndërhyrjes nga ajri me helikopter Cougar, flakët vijojnë të përparojnë të favorizuara nga era dhe terreni i thyer.
Forcat në terren po përqendrohen për të mbajtur nën kontroll vijën e zjarrit pranë objekteve të rëndësishme strategjike, ndërsa situata mbetet alarmante. Çdo përparim i mëtejshëm i flakëve mund të sjellë pasoja të rënda nëse përfshihen depot me lëndë djegëse.
Autoritetet kanë ngritur shtab emergjence dhe bëjnë thirrje për vigjilencë maksimale, ndërsa rreziku për zonat e banuara është gjithashtu prezent.




