Flamuj kombëtar në sheshe e dekore festive — qytetet shqiptare presin 28-29 Nëntorin
Në mbarë qytetet shqiptare, përfshirë edhe Fierin, ka nisur atmosfera festive në pritje të 28-29 Nëntorit.
Në Fier, sheshet dhe rrugët kryesore janë zbukuruar me flamuj kombëtarë, të cilët do të qëndrojnë të vendosur deri në momentin kur do të zëvendësohen nga dekorimet e fundvitit.
Paralelisht, ka nisur edhe puna për vendosjen e dritave dhe elementëve të tjerë dekorativë për festat e fundvitit, përfshirë edhe pemën e Vitit të Ri. Ndezja zyrtare e saj është planifikuar të bëhet më datë 6 dhjetor, duke shënuar hapjen e sezonit festiv në qytet.

Në Korçë, në sheshin qendror të qytetit, është vendosur një flamur kuq e zi i stërmadh në përmasa, ndërsa po ashtu Bashkia ka vënë edhe Pemën e Vitit të Ri dhe dekor festiv.

Në Gjirokastër, tradita e ndezjes së dritave të fundvitit mbahet çdo vit më 6 dhjetor, ndërsa dekorimet festive vendosen zakonisht në fund të muajit nëntor, menjëherë pas përfundimit të festave të Nëntorit.

Në Durrës, dekori festiv është vendosur në pjesën më të madhe të qytetit, në sheshe kryesore dhe në bulevarde. Sipas traditës, dritat festive do të ndizen më 6 dhjetor, duke hapur zyrtarisht sezonin e festave.

Në Vlorë, flamuj të shumtë janë vendosur në bulevardet e qytetit dhe në zonën pranë bashkisë.





