Flet babai i 40-vjeçarit që bëri masakër në Australi: Nuk gjente dot të dashur…
Joel Cauchi, 40-vjeçari, i cili të shtunën goditi për vdekje gjashtë persona dhe plagosi 12 të tjerë në një qendër tregtare në një periferi të Sidneit, ishte i zemëruar sepse nuk mund të gjente një të dashur, thanë prindërit e tij.
Deklarata e tyre vjen për të konfirmuar vlerësimin e policisë se Joel Cauchi duket se kishte shënjestruar kryesisht gratë, pasi pesë nga gjashtë viktimat e tij dhe shumica e 12 personave që ai plagosi ishin gra.
“Ai donte të gjente një të dashur, nuk kishte aftësi sociale dhe humbi mendjen sepse ishte i frustruar”, tha babai i tij 76 vjeçar duke shprehur trishtimin e thellë për personat që humbën jetën.
Ndërkohë, kryeministri Anthony Albanese i ka ofruar një francezi që ndërhyri për të neutralizuar sulmuesin, mundësinë për të qëndruar në Australi sa të dojë dhe për t’u bërë shtetas australian.