AKTUALITET

“Fluturojnë” çmimet e hoteleve në Shqipëri, rritje mes 5 – 90 përqind. Zonat ekonomike në bregdet po bëhen gjithmonë e më të pakta


Akomodimi në hotel në këtë sezon veror në Shqipëri është bërë më i shtrenjtë. Çmimet e hoteleve kanë shënuar rritje mes 5-90%. Në një pjesë të mirë të strukturave, kjo argumentohet me rritjen e kostove dhe të kërkesës, por thuajse dyfishimi në disa rajone ka ngritur pikëpyetje, duke krijuar një lloj frike mbi efektet që mund të sjellë në një destinacion si Shqipëria. Në bregdetin shqiptar, Veriu  mbetet më ekonomik sa u takon çmimeve, Durrësi dhe Golemi janë suksesi i padiskutueshëm i modelit turistik të qëndrueshëm, ndërsa Jugu vijon të mbetet mes “oscilacionesh” ekstreme dhe me koston më të lartë të akomodimit. Në një bilanc, Shqipëria edhe këtë vit, ofron pushime për të gjithë sipas mundësive, por zonat ekonomike në bregdet po bëhen gjithmonë e më të pakta nga viti në vit

Reklama në FieriWeb - “VEGA GROUP”

Të pushosh në Shqipëri këtë vit është më shtrenjtë se një vit më parë. Çmimet e hoteleve janë rritur mesatarisht nga 5% deri në 90%. Kërkesa e lartë, që erdhi si efekt i rritjes së interesit për Shqipërinë dhe zhvlerësimi i Euros, bëri që strukturat akomoduese të reflektonin me një rritje fillestare të çmimeve kudo, por sidomos në bregdet.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Rritja nisi me një nivel modest në maj, por që në fillim të qershorit kërcimi i çmimeve ishte i menjëhershëm, në nivele që nuk shiheshin më si të logjikshëm as nga tur-operatorët të cilët e reklamojnë Shqipërinë në tregjet e huaja, e as nga klientët, që vijnë individualisht.

Reklama në FieriWeb - “ALNORA”

Vala e dytë ishte në prag dyfishimi të çmimeve në disa zona.

Reklama në FieriWeb - “OAZI I PISHAVE”

Sinjalin e parë të “refuzimit” të këtij kërcimi ekstrem çmimesh, e dhanë vendasit, të cilët reduktuan fundjavat e zakonshme në bregdet, teksa nisën të mendonin për pushimet verore, ku rezervimet jashtë kufijve, sipas agjencive janë në nivelet më të larta ndonjëherë.

Ndërkohë një grup i rëndësishëm i të huajve, që kishin kaluar pushime të cilësuara “të mrekullueshme” në Shqipëri vitin e shkuar, këtë verë janë ndeshur me çmime të reja që nuk e bëjnë më ekonomik në syrin e tyre vendin tonë.

Reklama në FieriWeb - “MEGATEK”

Operatorët turistikë pohojnë se bëhet fjalë kryesisht për turistët italianë, të cilët në shifra do të ishin shumë më lart në qershor dhe korrik, por i kanë anuluar ardhjet e tyre për shkak se në rajonin e Vlorës dhe Jugut janë ndeshur me çmime më të shtrenjta se një vit më parë në të njëjtat struktura ku kishin qëndruar.

Strukturat akomoduese në Vlorë dhe në Sarandë presin gjithsesi që muaji gusht të ketë një dyndje të italianëve në këto zona.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, Shqipëria vijon të shënojë një numër rekord vizitorësh që vetëm në qershor ishin 1.24 milionë të huaj, me një total prej 4.5 milionësh në 6 muajt e parë.

Tur-operatorët presin që në total, viti 2024 të jetë sërish më mirë se viti 2023 në shifër vizitorësh, kjo edhe si efekt i tureve kulturore dhe rigjallërimit të turizmit që dominoi në pranverë dhe  pritet të jetë në nivele mjaft të mira edhe gjatë vjeshtës.

Gjithsesi, sezoni veror në vetvete, nuk cilësohet si më i miri deri më tani, për shkak të lëkundjes që solli rritja e çmimeve dhe tipologjisë së turistit që edhe pse shënon numra më të lartë, është tepër i kursyer në shpenzime.

Pse vera 2024 ndahet në dy pjesë sa u takon çmimeve dhe tendencave

Vera 2024, sipas tur-operatorëve, duhet të ndahet në dy pjesë. Fillimi i sezonit, që është cilësuar kryesisht maji, ishte në nivele mjaft të mira dhe strukturat akomoduese do të shpreheshin të kënaqura në atë kohë me rezervimet, duke rritur pritshmëritë për muajt në vazhdim.

Por rritja e menjëhershme e çmimeve, kryesisht në Jug dhe sidomos në Sarandë dhe Ksamil, për shkak të promovimit të gjerë ndërkombëtar dhe rritjes së kërkesës, krijoi  efekt të menjëhershëm frenues.

Në grupe turistike në rrjete sociale apo në komente të influencerave të ndryshëm, Shqipëria, e cila deri dje komentohej në mënyrë unanime pozitivisht, nisi që të komentohej edhe negativisht. Për ditë me radhë, në qershor dhe korrik, në rrjete sociale nisën të bënin xhiron e rrjetit video me shezlone të boshatisura.

Në fakt, realiteti ishte disi më ndryshe. “Braktisja” nuk ishte për gjithë Jugun por për disa zona specifike, ku rritja e çmimeve kishte krijuar pakënaqësi të përgjithshme, ndërkohë që këto raste të izoluara, shërbyen  si “marketing” negativ në tërësi, për të anatemuar gjithë rajonin.

Pikënisja e gjithë kësaj ishte rritja e çmimeve që deri më 10 korrik bëri që plazhet të ishin nën potencialin e tyre. Vetë kryeministri Edi Rama do të kërkonte që bizneset të tregoheshin të kujdesshëm, pasi kjo ishte një strategji vetëvrasëse.

Nisja e periudhës që njihet si piku i sezonit 15 korriku-20 gushti, në fakt i gjeti një pjesë të strukturave me  rikthim me këmbë në tokë. Jo të gjitha ulën çmimet, madje ato të cilësuara si segment luksi, nuk reflektuan aspak mbi këtë dhe as ato që janë struktura me çmimet e ulëta.

Reflektimin e bënë hotelet e kategorisë së mesme, të cilat nisën një fushatë promovimi në rrjetet sociale por edhe ofrimin e paketave gjithëpërfshirëse, që e bënin çmimin e tyre ekonomik në syrin e pushuesve.

Këto të fundit nisën ofrimin e dhomave me dy vakte të paguara, me shezlone në plazh, parkim apo edhe lehtësi të tjera. Edhe pse me vonesë, tur-operatorët vlerësojnë se Shqipëria ka mundësi të rikuperojë disi nga imazhi i saj në muajin gusht dhe fillim shtator, për ta bërë mbyllur sezonin veror me sukses dhe me një shije të mirë për verën e ardhshme.

Gjithsesi, Shqipëria duhet të kuptojë se ende nuk është pozicionuar e sigurt në tregun global turistik dhe çdo lëvizje e pamenduar mund t’i kushtojë shumë në një kohë të shkurtër.

Çmimet e hoteleve, Veriu mbetet ende pjesa më ekonomike e bregdetit

Bregdeti në Veri mbetet ende edhe sot pjesa më ekonomike për ata që duan të pushojnë. Ka një rritje të investimeve në akomodim, por edhe në përshtatje të njësive individuale të banimit për funksione akomodimi, të cilat mund t’i gjesh me çmime mjaft të lira, por kushtet e tyre mbeten ende bazë.

Nga bisedat me struktura hoteliere por edhe  me operatorë turistikë që operojnë në këtë rajon, pushuesi që ka dominuar në këtë periudhë është ai i Kosovës, por edhe vendasit dhe emigrantët që rikthehen në vendlindje.

Po kështu është rritur numri i polakëve që udhëtojnë individualë apo në një pjesë më të vogël, të italianëve. Çmimet për këtë rajon, në strukturat hoteliere të nivelit mesatar të ulët, janë rritur me 50%.

Një dhomë standarde dyshe në hotele kushton 45 euro, nga 30 euro që ishte një vit më parë në Velipojë. Të nxitura nga fluksi turistik, strukturat e mëdha kanë investuar në lehtësi, por edhe në staf, duke bërë kështu që për shkak të kostove të rrisin çmimet me 30%.

Një pjesë e strukturave që deri një vit më parë operonin me paketa ku përfshihej në çmim edhe mëngjesi dhe darka, kanë kaluar kryesisht në paketën fjetje dhe mëngjes. Çmimi në nivelin mesatar të lartë të strukturave në zonën e Velipojës llogaritet në 120 euro. E njëjta situatë duket se paraqitet edhe në zonën e Shëngjinit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat hoteliere, tur-operatorët por edhe në rrjetet sociale e platformat e rezervimeve vihet re  rritje me 50% edhe në këtë bregdet sa i takon mesatares së hoteleve me çmime të ulëta.

Një dhomë hoteli dyshe, e cila nuk ndodhet pranë plazhit dhe ka vetëm gjëra elementare, mund të sigurohet për 45 euro nga 30 euro një vit më parë.

Sigurisht, si në Velipojë, edhe në Shëngjin, mund të gjesh njësi edhe më të lira se këto, por që janë apartamente individuale të përshtatura ose që nuk kategorizohen si hotele.

Çmimet mesatare të larta në Shëngjin janë gjithashtu në 120 euro nata. Ajo që vihet re është që mes Shëngjinit dhe Velipojës, ku kjo e fundit në strukturat luksoze ka qenë më ekonomike në të shkuarën tashmë janë në të njëjtin nivel.

Golemi dhe Durrësi, modeli më i suksesshëm, çmimet rritje të moderuar

Kampionët e qëndrueshmërisë në aspektin turistik duket se po rezultojnë Golemi dhe Durrësi. Modeli që po zbatohet prej vitesh në këtë pjesë të vendit ku turizmi i organizuar po zgjerohet vit pas viti, po tregon në njëfarë forme shembullin që mund të ndjekin disa rajone, që kanë hapësira për zhvillim.

Për tur-operatorët, Durrësin e favorizojnë një sërë faktorësh ku së pari është kapaciteti i lartë i strukturave akomoduese.

Besnik Vathi, nga ATHS, shprehet se sot për sot, Durrësi ka strukturat më të organizuara në bregdetin shqiptar. Golemi, që është pjesë e Kavajës, dhe Durrësi kanë disa nga hotelet më të mëdha që prej vitesh presin përmes paketave “half board” apo “all inclusive” qindra mijë turistë.

Interesi nga agjencitë e huaja ka ardhur në rritje nga viti në vit për kontrata garancie, ku dominon tregu polak. Kërkesa është madje në rritje edhe për vitin tjetër, pasi renditja si destinacion është në nivele të kënaqshme.

Turizmi i organizuar i fut strukturat në një rrjet mbikëqyrje, ku stafi duhet të trajnohet vazhdimisht, diçka që edhe cilësinë e shërbimit e ka në nivelet më të larta.

“Në këto struktura (në Durrës dhe Golem) jemi me vlerësim shumë të mirë, si për cilësinë edhe për shërbimin. Janë hotele të kontraktuara, që mbikëqyren herë pas here, për shkak të kontratave me garanci. Vetë hotelet janë të sigurta, kur kanë kontrata dhe tregohen të kujdesshme dhe me stafin, e mbajnë, e trajnojnë edhe kur s’ka sezon.

Si vlerësim destinacioni, jemi me një mesatare mbi 8. Problemi është për ata pa kontrata garancie dhe kryesisht Jugu. Ka mungesë të kulturës së shërbimit, të eksperiencës.

Turizmi i organizuar ka sjellë diçka shumë të mirë te ne, ku hotelet janë edukuar të shërbejnë sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, kurse Vlora dhe Riviera u duhet punë ta arrijnë këtë” do të nënvizonte Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik Shqiptar për “Monitor” në një intervistë të pak ditëve më parë.

Sa u takon çmimeve të këtij viti, për strukturat akomoduese që nuk janë brenda kontratave me garanci ka një rritje me 5% në strukturat luksoze, pra të nivelit mesatar të lartë.

Rritja realisht është më e lartë pasi këto struktura që deri dje ndoshta ofronin edhe paketën mëngjes dhe darkë, sot ofrojnë vetëm mëngjes.

Për strukturat mesatare të ulëta ka një rritje me 15%, ku nëse në verën 2023 mund të gjeje një strukturë hoteli me çmimin 35 euro, sot rastet kur mund të gjesh një me 40 euro janë të kufizuara dhe pozicionimi është dukshëm larg nga deti. Në Durrës, strukturat hoteliere raportojnë për një prani më të pakët të shqiptarëve të Kosovës këtë vit, por për një numër më të lartë të diasporës së saj.

Jugu mes ekstremeve, nga Vlora në Himarë çmimet rriten ndjeshëm

Zona e Vlorës është ndoshta pjesa ku ende ka disa pika ekonomike për të pushuar nëse llogarisim këtu ecurinë e përgjithshme të Jugut. Konkretisht, në zonën e Zvërnecit apo të Plazhit të Ri, duke u vendosur me strukturë hoteliere brenda qytetit, apo në periferi, mund të të kushtojë disi më lirë.

Por disa zona të tjera të qytetit, sidomos së fundmi Radhima, ku edhe është investuar, nuk cilësohen më ekonomike. Tur-operatorët pohojnë se një hotel me çmim mesatarisht të ulët mund ta gjesh në nivelet e 50 eurove në Vlorë, me një rritje prej 25% në raport me një vit më parë.

Kurse strukturat me çmime mesatarisht të larta variojnë në 250 euro me mëngjes. Edhe për këto struktura, rritja është po me 25% në raport me një vit më parë. Më në Jug, pasi kalon Llogoranë ku ndodhet Palasa, epiqendra janë vilat turistike.

Këto të fundit mund të sigurohen për një çmim 350 euro nata për ato me 2 dhoma gjumi deri në 1000 apo 1500 euro nata për ato me katër dhoma gjumi dhe lehtësi të tjera. Çmimet në këtë zonë duket se kanë mbetur të njëjta në raport me një vit më parë për vilat e vogla dhe kanë shënuar rritje për ato me kapacitet akomodues më të lartë.

Në Dhërmi duket se rritja është edhe më  e dukshme. Në vitin 2023, një dhomë dyshe kushtonte 60 euro.

Ndërsa sot, çmimi minimal që mund të gjesh për një hotel është 85 euro, pra me një rritje 42%, teksa për hotelet e segmentit më luksoz (jo më të shtrenjtët), mesatarja e hoteleve të shtrenjta rezulton në 300 euro me mëngjes apo një rritje me 50%, në raport me një vit më parë.

Në Jal ende numri i strukturave akomoduese hoteliere është i kufizuar ndaj referencë përgjithësisht kanë shërbyer vilat në një prej plazheve më të frekuentuara ku për një natë kostoja është 350 euro me  rritje prej 16%.

Në Himarë ka gjithashtu  rritje të çmimeve për hotelet mesatare të ulët, të cilët nga 45 euro që ishin vitin e shkuar kanë shkuar në 80 euro, kurse çmimet mesatare të larta janë rritur me 12.5%.

Një dhomë e këtij standardi mesatarisht kushton 180 euro, edhe pse nuk mungojnë raste ekstreme ku në këtë rajon, në hotele të caktuara, çmimi për një natë arrin mes 500 dhe 700 euro.

Në Qeparo, hotelet e mesatares së ulët kushtojnë 70 euro me  rritje 40%, ndërkohë që një hotel tek mesatarja e lartë mund ta gjesh për 120 euro, me  rritje. Edhe në Borsh, çmimet kanë shënuar  rritje 30% për hotelet e mesatares së ulët në raport me një vit më parë ndërsa për hotelet e segmentit më të lartë,  rritje me 20%.

Saranda dhe Ksamili, hotelet luksoze rritën çmimet me 60-90%

Saranda dhe Ksamili, që u kthyen dy pikat më të frekuentuara të vendit për shkak të promovimit, u përballën edhe me kritikën më të madhe për çmimet, që duket se fluturuan sidomos në segmentin e hoteleve me çmime mesatare të larta.

Në Sarandë, hotelet e kësaj kategorie u rritën me gati 60% duke kapërcyer nga çmimi 160 euro, ku në disa raste përfshihej darka dhe mëngjesi te 250 euro, ku përfshihej vetëm mëngjesi.

Një hotel me çmim mesatar të ulët në Sarandë sot mund ta gjesh për 60 euro, edhe pse mundësitë janë të limituara. Kjo gjithsesi erdhi pas një reflektimi të strukturave që bënë një ulje të lehtë javëve të fundit. Ndërkohë në Ksamil, hotelet me çmime mesatare të ulëta i rritën çmimet me 40%, duke kaluar nga 50 euro në 70 euro nata, kurse hotelet me çmime mesatarisht të larta kërcyen me gati 90%.

Në Sarandë dhe në Ksamil, paralelisht ka një lulëzim të apartamenteve dhe vilave luksoze që janë përshtatur për turizëm, çmimet e të cilave luhaten mes 300-700 euro nata. Bëhet fjalë për vila apo apartamente të cilat janë përshtatur në funksion të turizmit dhe ofrojnë akomodim për më shumë se dy persona.

Një shezlon sa një hotel, çmimet deri në 500 euro, por mundësi për të gjithë, edhe plazhe publike

Çmimet e hoteleve, pavarësisht se të rritura këtë vit në gjithë bregdetin, duket se nuk kanë arritur të marrin vëmendjen e shezloneve. Këta të fundit janë bërë “hit” i verës ku foto e video kanë qarkulluar pafund sa i takon nëse ka pushues apo jo dhe kostos në disa herë të paperceptueshme, gati-gati e njëjtë me një dhomë hoteli.

Gjithsesi edhe këtë vit, sa u takon çadrave dhe shezloneve në plazh pjesa më ekonomike në vend mbeten Velipoja, me 500 deri në 700 lekë, Shëngjini në disa raste me 700 lekë, Zvërneci në Vlorë, me 500 lekë.

Ndërkohë plazhe të tjerë si Durrësi dhe Golemi, Jali, Qeparo e Borshi kanë ofruar çadra që nisnin nga 1 mijë lekë. Edhe në Ksamil apo në Sarandë, të lakuar aq shumë për kostot sërish mund të gjesh plazhe ku çadra dhe shezlonet ofrohen për 1 mijë lekë.

Në Dhërmi, nga ana tjetër, kryesisht kostoja për çadrën nis nga 1500 lekë, në Palasë kryesisht 3000 lekë.

Subjektet që kanë fituar të drejtën e shfrytëzimit të bregut përmes stacioneve të plazhit kanë aplikuar në raste të veçanta çmime të larta për çadra, shezlone apo struktura që nuk janë të zakonshme.

Në disa raste, mekanizimi i vendosjes së çmimit funksionon me rreshta ku në rreshtin e parë kostoja nis nga 3000 lekë.

Në disa raste ka struktura të njohura si gazeboo që nisin nga 5000 deri në 7000 lekë. Në të tjera të quajtura zona Prive, brenda strukturave luksoze, kostoja mund të shkojë edhe në 50 mijë lekë, ku ka të përfshira edhe disa benefite të tjera në kuptimin e pijeve apo aksesit në plazh.

Çmimet në disa zona janë shtrenjtuar dukshëm, duke u dyfishuar sa u takon shezloneve dhe në të tjera kanë mbetur të njëjta, ajo që mund të thuhet është që ofrohen opsione për të gjithë.

Në disa rajone ka vijuar të ketë edhe plazhe publike, duke nisur nga Velipoja, në Vlorë, Dhërmi, Himarë apo Sarandë. /MONITOR

Related Articles

Back to top button