FOTO/ “E bëra për vetëmbrojtje, Amanda prej 10 vitesh…”, zbardhet dëshmia e 40-vjeçares që vrau motrën e saj
Është zbardhur dëshmia e 40-vjeçares, Marsela Pushani e cila një ditë më parë vrau me thikë motrën e saj, Amanda Pushani te rruga e Kavajës.
“Veprova në kushtet e vetëmbrojtjes, na kërcënoi se do na vriste. Motra prej 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe me probleme. Debatuam që të linte alkoolin. Më kërcënoi mua dhe mamanë”-mësohet të ketë thënë autorja pas arrestimit.
Familjarët e 37-vjeçares kanë tentuar të fshehin ngjarjen, duke e raportuar si vdekje natyrale. Por pas hetimeve dhe autopsisë u vërtetua se ajo ishte qëlluar me thikë, dhe si pasojë e plagëve kishte ndërruar jetë.
Ajo që ka njoftuar per ngjarjen ka qenë nëna e viktimës, e cila ka telefonuar ambulancën duke i thënë se e bija nuk ndihet mirë. Shërbimi mjekësor e gjeti të vdekur 37-vjeçaren ndersa gjatë ekzaminimit u vu re që kishte një plagë poshte stomakut.
Njoftimi i policise:
Tiranë
Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.
Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.