Fotoja më e fundit e Gilmando Danit, viktimë e atentatit mafioz në Rinas

Gilmando Dani, 47 vjeç dhe Muçi Shaljani allias Sheqeri, 40 vjeç, sapo kishin mbërritur nga Barcelona në vendin tonë kur ranë pre e një atentati mafioz pranë aeroportit të Rinasit.
Të dy po udhëtonin me një mjet luksoz Benz, i bardhë me targa AB 099 UO, kur u qëlluan me breshëri plumbash sapo u larguan nga aeroporti.
Dani i njohur edhe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili ishte edhe objektiv i atentatit, mbeti i vdekur në vend.

Ndërsa miku i tij, Shaljani i cili prej 3 mujash shërbente si agjent i AMP-së (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), po drejtonte mjetin dhe ka marrë plumba në kokë. Aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dinamika e atentatit
Ata kishin ikur në Barcelonë më datë 7 nëntor dhe mbërritën në Rinas sot, 11 nëntor, në orën 13:55. Kanë marrë mjetin që e kishin parkuar në parkimin e Rinasit dhe janë nisur drejt destinacionit të tyre. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas, rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin e Rinasit, pak metra larg aeroportit, një zonë ku ka një trafik të dendur dhe qarkullimi i mjeteve është shumë i ngadaltë. Një rrethanë që duket se ka ndihmuar vrasësit, për të shënjestruar objektivin e tyre.
Kush ishte Gilmando Dani?
E shkuara kriminale është pikërisht pista e hetimit për atentatin mafioz që i mori jetën Danit.
I njohur si krahu i djathtë i Shullazit, Dani ka një histori të gjatë me ngjarjet kriminale që prej vitit 2006 kur u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit. Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.




