Frika nga ‘Mundësia’: kur PD-ja sheh kërcënim te ndershmëria.

Në një vend ku politika është bërë sport kombëtar dhe hajdutëria politike – një dishinë olimpike, vjen një lajm që thyen çdo rekord logjike: “Mundësia” e Agron Shehajt, një parti pa komisionerë, pa struktura dhe pa para, qenka kapur duke i vjedhur vota PD-së! Po, po – sipas disa burimeve me “sensor të gjashtë për manipulime”, kjo lëvizje e brishtë demokratike, e ngritur mbi idealin e votës së pastër, paska arritur të mashtrojë makinën elektorale të PD-së që ka dekada që operon në fushë-betejë me të gjitha truket e mundshme.
Qesharake? Jo, më shumë se kaq – është ironia më e bukur që mund të na dhurojë tranzicioni ynë politik. Dhe më e bukura është se, sipas PD-së, problemi nuk është që Rama vodhi votat, por që një “i vogël” si Shehaj guxoi të marrë ndonjë fletë votimi më shumë se ç’duhej. Me sa duket, në Shqipëri, të kesh vota është një lloj “licence ekskluzive” për partitë e mëdha. Kushdo tjetër që merr vota, duhet të jetë patjetër hajdut – përndryshe si shpjegohet që dikush tjetër, jashtë dyshit PS-PD, ka fituar ndonjë kuti?
Kështu, opozita që ka vite që qan për vjedhje, tani qenka kthyer në viktimën e preferuar të vjedhjes. Dhe jo nga qeveria. Jo nga ndonjë superstrukturë shtetërore. Por nga një grupim politik që mezi u regjistrua në zgjedhje. Ironia i bie që Shehaj, që s’mundi të ketë komisionerë as në lagjen e vet, paska bërë “magji elektorale” dhe i ka rrëmbyer votat PD-së, ndoshta me një USB, një fjalim të gjatë ose një kuti që u “shtrembërua” në numërim.
Në fakt, kjo nuk është thjesht komedi – është një dëshmi e thellë se sistemi ynë politik ka frikë nga çdo formë ndryshimi, sado i vogël të jetë ai. Sepse ndryshimi nuk matet me përqindje, por me ide. Dhe ideja që dikush guxon të konkurrojë pa qenë pjesë e marrëveshjes së vjetër, i tmerron të mëdhenjtë.
E kështu, në fund të ditës, “Mundësia” nuk është vetëm një emër partie. Është një metaforë: mundësia që shqiptarët të dalin nga skema e vjetër. Dhe si çdo mundësi në këtë vend… bëhet menjëherë objekt sabotimi./Fieri Web