Frikë nga tërmetet e shumta në Greqi! Turistët “braktisin” Santorinin, biletat shiten brenda sekondave
Frika nga tërmetet i ka shtyrë njerëzit të largohen nga Santorini, pasi ishulli me më shumë turistë i Greqisë vazhdon të goditet nga ajo që shkencëtarët e përshkruajnë si një “breshëri” lëkundjesh.
Nga mesdita e së hënës, linjat ajrore kishin njoftuar se po dyfishonin numrin e fluturimeve nga Santorini në Athinë për dy ditët e ardhshme, pasi agjentët e udhëtimit thanë se fluturimet e reja u shitën “brenda sekondave”.
Më shumë se 200 lëkundje tronditën ishullin gjatë fundjavës, teksa ndodhën dhe shumë lëkundje të tjera gjatë natës që i shtynë njerëzit të flinin jashtë ose në makinat e tyre, shkruan Guardian.
“Qaja gjithë natën sepse kisha shumë frikë dhe nuk dija çfarë të bëja”, citohet të ketë thënë një turiste meksikan në një vizitë dyditore në Santorini për të përditshmen greke Protothema.
Të hënën, një tërmet me magnitudë 4.8 ballë të shkallës Rihter, më i fuqishmi deri më tani, u regjistrua në orën 14:17 me orën lokale. Gjithashtu janë regjistruar rrëshqitje të tokës dhe gurëve.