Fronëzohet Mitropoliti i ri i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, imzot Asti Bakallabashi
Ceremonia e fronëzimit të Imzot Asti Bakallabashi është kryer në Katedralen “Shën Dhimitri” në Mitropolinë e Beratit nga kryepeshkopi Imzot Anastas Janaullatos.
Është kryer sot fronëzimi i Mitropolitit të ri të Beratit,Vlorës dhe Kaninës, Imzot Asti.
Në ceremoninë e organizuar në Katedralen “Shën Dhimitri” në Mitropolinë e Beratit kanë qenë të pranishëm përfaqësues të komunuteteve fetare, klerikët e lartë të Kishës Ortodokse, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë dhe besimtarë të shumtë ortodoks.
Mesha e shenjtë e fronëzimit të Mitropolitit të ri të Beratit,u kremtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë,Anastasi.
Imzot Asti Bakallbashi u zgjodh Mitropoliti i ri Beratit,Vlorës dhe Kaninës në mbledhjen e Sinodit të Hirshëm Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë,nën drejtimin e kryepeshkopit Anastas Jnaullatos.
Imzot Asti u zgjodh me unanimitet votash në 14 nëntor,disa muaj pas ndarjes nga jeta të arvanitasit Imzot Ignati.
Hirësia e tij,Asti Bakallbashi,që deri më tani ka shërbyes si Episkop i Bylisit,lindi në Durrës, në vitin 1974.Ai kreu studimet teologjike në Seminarin Teologjik Hieratik,në Durrës në vitet 1993-1997, në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut 1998-2003, dhe studimet pasuniversitare (master) në Omilitikë,në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (2010-2012).
Imzot Asti ka shërbyer si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit dhe gjithashtu si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.
Krahas veprës liturgjike,ai ka shërbyer edhe në disa sektorë të tjerë të Kishës: në administratën e Kryepiskopatës së Tiranës,si pedagog i jashtëm i Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit,po ashtu ka qenë bashkëpunëtor dhe bashkëdrejtues i Stacionit Radiofonik “Ngjallja” që nga viti 2005,si dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë nga viti 2018 e deri më sot.
Gjatë shërbimit të tij, ai ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në takime të ndryshme ndërorthodhoske dhe ndërkristiane.