Furnizonin me armë grupet kriminale, policia zbulon bazën, 2 të rinjë të arrestuar
Njoftimi:
/Goditet një tjetër bazë që shërbente për furnizimin me armë dhe municion të grupeve kriminale. Falë inteligjencës policore të siguruar nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe një hetimi proaktiv disamujor nën drejtimin e Prokurorisë u finalizua operacioni policor i koduar “Hills”, në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”. Sekuestrohen 4 armë zjarri kallashnikovë, 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 4 celularë, 1 motomjet, një sasi lënde e dyshuar cannabis dhe një shumë parash. Vihen në pranga 2 shtetas.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj armëmbajtjes pa leje dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale, specialistët e Sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, bazuar në inteligjencën policore, për dy shtetas që mbanin një sasi armatimi të fshehur dhe ua shitnin grupeve kriminale, referuan materialet në Prokurori e cila regjistroi procedimin penal. Si rezultat i hetimit disamujor me metoda proaktive dhe në drejtimin e Prokurorisë, u siguruan prova ligjore mbi veprimtarinë kriminale të mbajtjes së një sasie armatimi, me qëllim furnizimin e grupeve kriminale.
Në këtë kuadër dhe në zbatim të planit operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Hills”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë në fshatin Shkallnur, duke shitur armë zjarri luftarake kallashnikovë, shtetasit:
- T., 20 vjeç dhe E. P., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur, Durres.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë muajve të fundit, kanë shitur sasi armatimi dhe municioni luftarak.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen, 63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.