Futbollisti Fierak Odise Roshi tërhiqet nga Kombëtarja me 71 ndeshje dhe 5 gola, dje u largua edhe Balaj
Pasi Bekim Balaj njoftoi dje tërheqjen nga Kombëtarja, këtë të enjte të njëjtën gjë ka bërë edhe Odise Roshi.
Pasi Bekim Balaj njoftoi dje tërheqjen nga Kombëtarja, këtë të enjte të njëjtën gjë ka bërë edhe Odise Roshi, ish-anësori i sulmit kuqezi që ka luajtur 71 ndeshje me kuqezinjtë dhe është autori i pesë golave e shumë asisteve.
33-vjeçari fierak debutoi me Kombëtaren më 7 tetor 2011 në një sfidë kundër Francës, të humbur nga tanët 3-0 për kualifikueset e Europianit 2012. Minutat e fundit si kuqezi ai i mori n 16 nëntorin e 2022 në humbjen 1-3 kundër Italisë, teksa grumbullimi i fundit për të daton më 10 shtatot 2023, duke qenë në bankën rezervë.
I dalë nga moshat e Apolonisë, ai ka luajtur me Flamurtarin, Koln, Frankfurt, Koln, Rijeka, Grozny, Diosgyr, Boluspor, Sakaryaspor dhe për momentin është pjesë e Erzuremspor ku këtë sezon koleksionin 11 ndeshje dhe 2 gola.
Odise Roshi ishte pjesë e ekipit që u kualifikua dhe luajti për herë të parë në një Europian, atë 2016 në Francë.
“71 ndeshje të luajtura, e para ndaj Francës dhe e fundit ndaj Italisë! “Raketa” Odise Roshi, autor i shumë asisteve dhe i 5 golave, ka marrë vendimin të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Federata e Futbollit shpreh mirënjohjen për kontributin që Roshi ka dhënë me fanellën kuqezi, duke qenë pjesë e skuadrës historike që u kualifikua dhe luajti në Euro 2016! Faleminderit Odise”, shkruan FSHF.