Gazetarët grekë në grevë kombëtare, kërkojnë paga dinjitoze dhe marrëveshje kolektive pas 17 vitesh pritje

Brenda këtij viti, unionet e gazetarëve në Greqi kanë thirrur dy greva 24-orëshe, njëra prej të cilave po zhvillohet sot dhe tjetra është planifikuar për të enjten e ardhshme, më 12 qershor. Lëvizjet përfshijnë të gjithë gazetarët në të gjitha mediat e vendit – publike dhe private.
Këshillat Drejtuese të Federatës Panhelenike të Gazetarëve (POESY) dhe të shoqatave anëtare të saj (ESIEA, ESIEMTH, ESIEPIN, ESIETHSTE dhe ESPIT), duke marrë parasysh mesazhet e qarta të sektorit nga pjesëmarrja masive në lëvizjet e fundit greviste për nënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive të Punës dhe paga të denja, vendosën që të përshkallëzojnë lëvizjet e tyre.
Sipas deklaratës së përbashkët shoqatat e punëdhënësve, në një demonstrim të pashembullt të mosgatishmërisë për kompromis, pa përmendur as ndonjë vështirësi financiare, tregojnë mosinteresim për inflacionin që ul çdo ditë vlerën reale të pagave, refuzojnë negociatat kolektive, këmbëngulin në ngrirjen e Marrëveshjeve Kolektive të Punës që ka zgjatur tashmë 17 vjet dhe vazhdojnë të mbajnë peng gazetarët me kontrata individuale, të cilat krijojnë pabarazi të mëdha pagash.
Kërkesat kryesore të grevistëve përfshijnë:
• Negociata kolektive të ndershme dhe efektive, për t’i dhënë fund kontratave individuale
• Pagë fillestare prej 1.250 euro në të gjitha mediat
• Rritje pagës aktuale prej 10%, bazuar në marrëveshjet e fundit kolektive
• Pagesë shtesë për punën në fundjavë (+25% dhe një ditë pushimi për të shtunën, 100% për të dielën)
• Rritje e kompensimeve për shërbimet jashtë vendit
• Kompensim ditor prej 350 euro për zona lufte, 250 euro për zona me fatkeqësi natyrore
• Përfshirje të kërkesave institucionale në marrëveshjet kolektive
. Parime të etikës profesionale
. Rregulla kundër SLAPP (padive për frikësim të gazetarëve)
. Rregulla të detyrueshme për përdorimin e inteligjencës artificiale në media
• Pagesë e drejtë për të drejtat e autorit
• Ndihmë ekonomike e jashtëzakonshme për përballimin e krizës së çmimeve, në përpjesëtim me mediat publike
• Masa kundër abuzimit të çmimeve për ushqime, energji, qira
• Masa për mbështetjen e shtypit – ndalim i përqendrimit të tepruar në media, transparencë në pronësinë e mediave
• Heqje e kufizimeve për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët kolektive për mediat publike, me kushte institucionale dhe ekonomike
• Rikthimi I pagës së 13 dhe 14 në mediat publike
Mosinteresimi i punëdhënësve për të negociuar – disa prej të cilëve janë nga aktorët më të fuqishëm ekonomikë në vend – është dëshpërues, përfundon deklarata.