Gjendet i dekompozuar në grykëderdhjes së Semanit, ende mister identiteti i trupit. Morgu i Fierit nuk ka mundur ta identifikojë, kufoma dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për analizën e ADN-së

Trupi i pajetë i një personi, i gjetur të premten në zonën e grykëderdhjes së Semanit, vijon të mbetet i paidentifikuar. Për shkak të gjendjes së avancuar të dekompozimit, ekspertiza paraprake e kryer në morgun e Fierit nuk ka mundur të përcaktojë identitetin e viktimës.
Për këtë arsye, kufoma është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme shkencore.
Përveç përcaktimit më të saktë të moshës, shkakut dhe kohës së vdekjes, ekspertët pritet të kryejnë edhe analizën e ADN-së, e cila shihet si një nga mënyrat kryesore për të zbardhur identitetin e personit.
Sipas burimeve nga Policia e Fierit, bëhet fjalë për një person të seksit mashkull. Gjatë këqyrjes paraprake mjeko-ligjore nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune në trup.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për disa raste të personave të raportuar të humbur. Burime bëjnë me dije se në listën e rasteve që po verifikohen janë edhe persona të larguar nga banesat e tyre, mes tyre një rast në Fier dhe raste të tjera të raportuara në qytete të ndryshme të vendit.
Pikërisht përmes analizës së ADN-së pritet të bëhet krahasimi i materialit gjenetik të marrë nga trupi me ADN-në e familjarëve të personave të deklaruar të zhdukur.
Nga gjendja e dekompozimit, mjekët ligjorë në Fier kanë vlerësuar paraprakisht se vdekja mund të ketë ndodhur rreth dy muaj përpara momentit kur trupi u gjet. Kjo periudhë përkon me kohën kur janë regjistruar edhe disa prej denoncimeve për persona të humbur që tashmë po verifikohen nga autoritetet.
Hetimet vijojnë, ndërsa identiteti i viktimës pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekzaminimeve dhe analizave të ADN-së në Institutin e Mjekësisë Ligjore.




