Gjendet i vdekur biznesmeni në Gjilan, dyshohet se u zhduk nga 2 vajza shqiptare
Policia e Kosovës para dy ditësh, e hënë 26 shkurt njoftoi se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan – Kamenicë u gjet një person i vdekur.
Pas shqyrtimit nga policia u identifikua se trupi i cili është gjetur pa shenja jete në bodrumin e ashensorit është biznesmeni 66-vjeçar Musah Hamiti, i cili është shpallur i zhdukur rreth një muaj më parë nga familjarët e tij.
Njoftimi i policisë së Gjilanit:
“Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth ores 22:37, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan -Kamenicë është vrejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, – ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Biznesmeni nga Gjilani, Musah Hamiti ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij më 10 janar të 2024 pasi kishte humbur kontaktet me të afërmit e tij.
Mediat nga Kosova raportojnë se pas kontrollit nga policia, iu gjet se me vete kishte së paku 87 mijë franga si dhe tre telefona celularë, të cilat i kishte me vete ditën që u zhduk.
Ka qenë vëllai i 66-vjeçarit, Lajmërim Hamiti ai që ka bërë denoncimin për zhdukjen, edhe sot ai ka folur për Kosova Today në lidhje me trupin e vëllait dhe dyshimet mbi vdekjen e tij.
”Në vendin ku është gjetur trupi i pajetë unë me një kushëri timin kam qenë për të kërkuar, kemi shikuar në lift nuk kemi parë asnjë trup dhe nuk ke ndjerë asnjë erë”, – ka thënë Hamiti.
Ndërsa trupi i pajetë i 66-vjeçarit Musah Hamiti është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, autoritetet e policisë po vazhdojnë hetimet e nisura që para një muaji për zhdukjen fillimisht dhe tani vdekjen e tij.
Mediat rreth një javë më parë raportuan se në bazë të provave të mbledhura, dyshohet se bëhet fjalë për rrëmbim. E ditën që grupi krimanl dyshohet se e kidnapoi, pasi Musah Hamiti atë ditë ka pasur me vete 87 mijë franga zvicerane dhe qindra euro.
Çfarë ka zbuluar Prokuroria e Shtetit deri tani në lidhje me rastin:
Në dosjen e Prokurorit të Shtetit, të cilën e ka siguruar Sinjali thuhet se më 9 janar, në orët e pasdites, dy të dyshuarat, Marinela Markoviq lindur në 1989 dhe Silvana Dulellari lindur në 1984 bashkë me persona të tjerë, akoma të paidentifikuar me qëllim të përfitimit kundërligjshëm pasuror, e kanë rrëmbyer tani të zhdukurin Musah Hamiti me vendqëndrim në shtetin e Zvicrës.
“… pasi që të pandehurat, e kuptojnë se i zhdukuri Musah, ka me vete shumën e të hollave në vlerë prej 86250 Franga zvicerane, dhe 391 €, i cili po me të njëjtën ditë është kthyer nga Hajvalia, pas që është liruar nga Qendra e Paraburgimit në Hajvali, ku kishte qenë në vuajtje të dënimit në kohëzgjatje prej 25 ditëve, me të kthyer në Gjilan, me taxi të Kompanisë ‘’Golden Taxi’’ me datë 09.01.2024, takohet me të pandehurat e lartcekura, e pasi takimit me të njëjtat humb çdo gjurmë e tij, me ç’rast nga kjo ditë nuk dihet për fatin e tij.”
Markoviq dhe Silvana Dulellari dyshohet se në bashkëpunim me njëra-tjetrën e kanë rrëmbyer biznesmenin me qëllim për ta grabitur.
Në kërkesën e Prokurorisë dorëzuar në gjykatë thuhet se pas vlerësimit të fakteve të paraqitura në kallëzimin penal “konsiderohet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat e kanë kryer veprën penale, e cila u vihet në ngarkesë.”
Dy të dyshuarave iu është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin se janë të përfshira në rastin që hetohej si zhdukje e Hamitit.