Gjykata e Fierit reagon pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja: “Një sulm brutal ndaj drejtësisë dhe themeleve të shtetit të së drejtës”

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur gjatë seancës gjyqësore ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja. Në deklaratën e saj zyrtare, institucioni shpreh dhimbjen dhe tronditjen e thellë për këtë akt të rëndë, duke e cilësuar si një sulm të papranueshëm ndaj drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
Në reagimin e plotë të Gjykatës thuhet:
DEKLARATË E GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM FIER
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, në sallën e gjyqit.
Ky akt i rëndë dhe i papranueshëm përbën një sulm brutal ndaj drejtësisë, ndaj figurës së magjistratit dhe ndaj vetë rendit demokratik të Republikës së Shqipërisë. Vrasja e një gjyqtari në vendin ku jepet drejtësia është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e gjykimit duhet të shërbejë si thirrje e fortë për të ndaluar çdo formë dhune, fyerjeje, poshtërimi apo kërcënimi ndaj magjistratëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në dhënien e drejtësisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e Gjyqtarit Astrit Kalaja, duke vlerësuar me respekt figurën e tij profesionale dhe njerëzore.
Institucioni ynë angazhohet të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente për garantimin e sigurisë më të lartë për magjistratët, stafin administrativ gjyqësor, avokatët, ekspertët dhe të gjithë qytetarët që frekuentojnë gjykatat.
Në përfundim të deklaratës, Gjykata e Fierit apelon për respekt të figurës së gjyqtarit të ndjerë dhe për ndërmarrjen e masave të menjëhershme për rritjen e sigurisë në ambientet gjyqësore në mbarë vendin.




