Gjykata e Fierit Reagon për Kërcënimet Ndaj Gjyqtarit Vladimir Cjapi. Urdhër Mbrojtjeje për të Dhe Familjarët

Fier, 20 Shkurt 2025 – Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka reaguar pas informacioneve të Policisë së Shtetit lidhur me një kërcënim serioz ndaj jetës dhe sigurisë së gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe familjarëve të tij.
Në një deklaratë për shtyp, Gjykata shprehu shqetësimin e saj të thellë për aktin kriminal, duke e konsideruar atë një kërcënim jo vetëm për magjistratin dhe trupën gjyqësore, por për gjithë sistemin e drejtësisë dhe shoqërinë shqiptare.
Me kërkesë të Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Fierit, Noel Veizi, Këshilli për Mbrojtjen e Magjistratëve ka miratuar mbrojtjen e posaçme për gjyqtarin Cjapi dhe familjen e tij.
Gjykata dënoi ashpër kërcënimin dhe i bëri thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë çështjen dhe të nxjerrin përgjegjësit para ligjit. Ajo gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen për të gjithë gjyqtarët shqiptarë, duke theksuar se frikësimi i magjistratëve cënon funksionimin normal të shtetit të së drejtës.
Deklarata u nënshkrua nga gjyqtari për median, Alfred Konomi.
