Gjykata Kushtetuese pa vendim për Ballukun, Manjani: Konflikti mes qeverisë dhe GJKKO-së mbeti pa zgjidhje

Belinda Balluku nuk është më zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Pas më shumë se dy javësh shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim shumice lidhur me padinë e depozituar nga kryeministri Edi Rama, duke rrëzuar kërkesën për shkak të barazimit të votave mes gjyqtarëve, 4 pro dhe 4 kundër.
Mungesa e një shumice bëri që Gjykata Kushtetuese të mos shprehet mbi thelbin e konfliktit të kompetencave mes qeverisë dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar juristi Ylli Manjani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka sqaruar pasojat ligjore të asaj që ai e quan “vendim pa vendim” të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Manjanit, Kushtetuesja ka dështuar të marrë një vendim mbi objektin e kërkesës, duke mos i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjes mes Qeverisë dhe Drejtësisë. Ai thekson se, për shkak të pamundësisë për të marrë një vendim, kërkesa konsiderohet automatikisht e rrëzuar, edhe pse pa u gjykuar në themel.
Manjani shpjegon gjithashtu se vendimi i ndërmjetëm për pezullimin e vendimit të GJKKO-së bie automatikisht nga fuqia, pasi procesi në Gjykatën Kushtetuese ka përfunduar. Si rrjedhojë, situata ligjore rikthehet në gjendjen që ishte përpara nisjes së gjykimit në Kushtetuese, çka do të thotë se Belinda Balluku mbetet e pezulluar nga detyra, sipas vendimit të GJKKO-së.
Sa i përket debatit mbi imunitetin e saj, Manjani thekson se kjo çështje nuk ka lidhje me gjykimin në Gjykatën Kushtetuese, por me procedurat dhe vendimmarrjen e Kuvendit, në bazë të kërkesës së paraqitur nga SPAK.
“Kaq sa për sqarim ligjor të mënyrës se si duhet kuptuar vendimi pa vendim i Kushtetueses. Komentet, opinionet dhe konspiracionet janë temë tjetër”, shkruan Manjani në reagimin e tij.




