AKTUALITET

Gjyshërit “modernë” shqiptarë, si po ndryshon raporti mes brezave


Dy tendenca të mëdha demografike po i bëjnë gjyshërit më të rëndësishëm. Së pari, njerëzit jetojnë më gjatë. Jetëgjatësia e shqiptarëve në 72 vjet u rrit me 45%. Së dyti, familjet po tkurren. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i foshnjave që një grua mund të ketë gjatë jetës ka rënë, norma e fertilitetit arriti në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi. Raporti i gjyshërve ndaj fëmijëve, po rritet vazhdimisht. Sot ka një gjysh për çdo fëmijë nga një gjysh për çdo dy fëmijë që ishin dy dekada më parë. Çfarë ndikimet sjell kjo?

Reklama në FieriWeb - “VEGA GROUP”

Mirë se vini në botën e gjyshërve. Gjenerata e gjyshërve të sotëm, të cilët lundrojnë në rolet e tyre si mosha e tretë e familjes, përballen me një botë prindërore, krejtësisht të ndryshme nga ajo në të cilën ata rritën fëmijët e tyre.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Ndërsa jetëgjatësia mesatare rritet, gjyshërit do të jenë në jetën e nipërve dhe mbesave të tyre për një kohë më të gjatë se më parë. Dhe ata thonë se ndihen më të rinj dhe më të gjallë se prindërit apo gjyshërit e tyre, që do të thotë se roli i tyre në jetën e nipërve dhe mbesave është gjithnjë në zhvillim.

Reklama në FieriWeb - “ALNORA”

Reklama në FieriWeb - “OAZI I PISHAVE”

Demografia dhe teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si gjyshërit lidhen dhe qëndrojnë të lidhur me nipërit e mbesat. Megjithatë, baza qëndron: Shumica e gjyshërve e shohin veten si një burim njohurie e udhëzimi dhe ofrojnë mbështetje fizike, emocionale dhe financiare.

Dhe, sikurse brezat para tyre, ata duan të jenë pranë nipërve e mbesave të tyre. Por sa të përfshirë janë gjyshërit sot dhe mënyrat në të cilat ata evoluojnë dhe qëndrojnë, është një ekuacion i ribalancuar vazhdimisht.

Reklama në FieriWeb - “MEGATEK”

Njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë më pak fëmijë në shumicën e vendeve. Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë e deri në vitin 2022, jetëgjatësia u rrit me 45%.

Në 2022, gratë pritet të jetojnë mesatarisht gati 81 vjet dhe burrat 77.3 vjeç, sipas INSTAT.

Ka 1.5 miliardë gjyshër në botë, nga 0.5 miliardë në vitin 1960. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, kjo pjesë e popullsisë është rritur nga 17% në 20%. Dhe raporti i gjyshërve me fëmijët nën 15 vjeç është rritur nga 0,46 në vitin 1960 në 0,8 sot.

Deri në vitin 2050, parashikohet se do të ketë 2.1 miliardë gjyshër (që përbëjnë 22% të popullsisë botërore). Kjo pritet të ketë pasoja të mëdha.

“Gjyshërit trashëgojnë besime tradicionale, histori, këngë dhe një ndjenjë historie. Në mënyrë më prozaike, ata sjellin një palë duar shtesë. Kjo i ndihmon prindërit dhe fëmijët, veçanërisht në lidhje me edukimin dhe kujdesin e fëmijëve” – thotë sociologia Doralda Tanellari.

Prania e gjyshërve duket se ka ndikim të rëndësishëm edhe te gratë në karrierën e tyre.

“Kur një gjysh (pothuajse gjithmonë një gjyshe) është i pranishëm për t’u kujdesur për nipërit e mbesat (me kohë të plotë ose të pjesshme), vajza ose nusja ka shumë më tepër gjasa të punësohet dhe të zhvillohet në karrierën e saj.

Një studim i të dhënave të regjistrimit amerikan tregoi se distanca brenda 40 kilometrave nga një gjyshe rriti shkallën e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore të grave të martuara me fëmijë të vegjël deri në 10 pikë përqindjeje” – shton sociologia Tanellari.

Tani kemi një gjysh për çdo fëmijë

Në vitin 2001 në vend kishte 905 mijë fëmijë të moshës 0-14 vjeç, që përbënin 29.5% të popullsisë totale. Po atë vit, kishte 227 mijë të moshuar mbi 65 vjeç, që përbënin vetëm 7.4% të popullsisë, ose një të moshuar për dy fëmijë. Në 2023 piramida e popullsisë është përmbysur.  Numri i fëmijëve nga 0-14 vjeç në 2022 është përgjysmuar në 445 mijë, ose 16% e popullsisë. Në të kundërt, numri i të moshuarve mbi 65 vjeç u dyfishua duke arritur në 454 mijë, po rreth 16% e popullsisë. Tashmë ka një të moshuar për një fëmijë.

Rënia e numrit të fëmijëve dhe moshimi i popullatës mund të ketë ndikim në ekonominë e vendit, thotë eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Sipas tij, për shembull, mund të ketë rritje të shpenzimeve sociale për t’u kujdesur për popullsinë e moshuar dhe një nevojë për të rritur prodhimin ekonomik për të kompensuar këtë rënie të fuqisë punëtore të re.

Nga ana tjetër priten pasoja në tregun e punës. Me një fuqi punëtore të rënë dhe më shumë të moshuar në punë, tregu i punës mund të përballet me sfida të reja.

Mund të ketë nevojë për të rishikuar sistemin e pensioneve dhe politikat e punës për t’u përballur me këto ndryshime. Për të përballuar këto sfida dhe ndryshime, qeveritë dhe shoqëria duhet të marrin masa të përshtatshme. Kjo përfshin investime në arsim dhe trajnim për të përshtatur fuqinë punëtore në këtë kontekst të ri demografik, politika të përshtatshme të pensioneve dhe politika shëndetësore të mira për t’u kujdesur për popullsinë e moshuar.

Gjithashtu mund të duhet të përkrahen politika për të nxitur lindshmërinë dhe të ndihmojnë familjet që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në mënyrë efektive”, – përfundon z. Xhepa.

Cilat janë pasojat e më shumë gjyshërve?

Rritja e jetëgjatësisë së njerëzve dhe ulja e fertilitetit kanë ndikuar në strukturën e popullsisë në shumë vende dhe kanë sjellë ndryshime të rëndësishme demografike, sociale dhe ekonomike. Në këtë kontekst, Gëzim Tusha, sociolog e studiues demograf, pohon për “Monitor” se, është e vërtetë që shumë vende kanë më shumë gjyshër se sa fëmijë, dhe kjo ka disa pasoja, por dhe pritshmëri.

“Pritet që kjo të sjellë një përplasje demografike. Një popullsi me më shumë gjyshër se sa fëmijë do të rezultojë në një rritje të përgjithshme të moshës mesatare. Kjo mund të sjellë sfida të mëdha demografike, duke përfshirë rënien e fuqisë punëtore dhe rritjen e barrës së pensionistëve në shoqëri.

Duke marrë shembuj të shteteve të tjera, mund të sjellë madje edhe një rritje të moshës së pensioneve, gjë e cila nuk është pozitive, sepse shton rreziqet shëndetësore të kësaj grupmoshe.

Kjo gjithashtu do të ndikojë në rritjen e kërkesës për shërbime shëndetësore dhe shërbime të kujdesit të pleqve”, – thotë z. Tusha. Sociologia Marsida Simo nënvizon se, rritja e jetëgjatësisë së shqiptarëve mund të sjellë edhe ndryshime në familje.

“Struktura familjare mund të ndryshojë ndjeshëm, me më pak fëmijë dhe më shumë breza të moshuar. Kjo mund të sjellë sfida të reja sociale dhe familjare, si ndarja e detyrave të kujdesit të fëmijëve dhe pleqve dhe ndikimin në mënyrën se si të rriten fëmijët”, – thotë znj. Simo. Ajo përmend edhe aspektin shëndetësor. Sipas saj, shëndeti dhe kujdesi shëndetësor është pika kyçe e një popullsie më të moshuar.

“Tendenca është që do të ketë më shumë sëmundje për shkak të plakjes dhe nevojë për më tepër shërbime shëndetësore. Kjo mund të ketë ndikim në sistemin shëndetësor dhe kërkesën për shërbime kujdesi të shëndetit të kësaj grupmoshe” – përfundon ajo.

Çfarë ndryshimesh po vijnë?

Me kalimin e viteve, prania e shumë gjyshërve në shoqërinë tonë do të sjellë ndryshime të rëndësishme në dinamikën ekonomike dhe shoqërore. Për shkak të rritjes së numrit të personave të moshuar, pritet që tregu i produkteve dhe shërbimeve të përshtatura për pleqtë të rritet, duke krijuar mundësi të reja biznesi. Gjithashtu, do të rritet kërkesa për kujdes dhe shërbime shëndetësore të specializuara për popullsinë e moshuar, duke sjellë rritje të punësimit në këta sektorë.

Ndryshime të tjera do të përfshijnë ndikimin në strukturën familjare dhe nevojën për politika sociale të përshtatura për t’u kujdesur për nevojat e gjyshërve dhe fëmijëve, si dhe sfida të reja në sistemin e pensioneve dhe tregun e punës për t’u përshtatur me këtë strukturë të re të popullsisë.

Keti Lame, nga “Ndihma Plus”, thotë për “Monitor” se, vitet e fundit në Shqipëri është rritur kërkesa për kujdes shëndetësor për të moshuarit. Sipas saj, për shkak të emigracionit të lartë, shumë të moshuar në vend mbi 70 vjeç jetojnë vetëm dhe fëmijët, në këto kushte, paguajnë shërbimin e kujdesit për ta, në shtëpitë e tyre, që të shmangin shtëpitë tipike për të moshuarit, si pasojë e paragjykimeve në shoqëri.

Znj. Lame thotë se në pesë vitet e fundit kërkesa është më e lartë se sa burimet që ka tregu për të ofruar këtë shërbim, sepse edhe emigrimi i trupës mjekësore ka sjellë pasojat e veta.

Ekziston një stigmatizim për gratë apo burrat që të kryejnë shërbime të tilla, ndaj dhe është e vështirë të gjenden njerëz. Znj. Lame thotë se ka kërkesa edhe nga fëmijë, të cilët janë të angazhuar profesionalisht dhe nuk kanë mundësi të kujdesen gjatë ditës për prindërit e moshuar, ose këta të fundit ndodhen në rrethe, jo në Tiranë. Sipas znj. Lame, por edhe hulumtimeve në treg, kërkesa për shërbime të tilla pritet të rritet dhe paragjykimet mbi modelet e biznesit si shtëpitë e përkujdesit ndaj të moshuarve të zbehen.

Tendenca

Shqipe N. është një gjyshe e cila kujdeset për nipin e saj 7-vjeçar dhe mbesën 3-vjeçare, Duke qenë se jeton bashkë me fëmijët, ajo shprehet se ndien “detyrën morale” që të merret me fëmijët, duke qenë se nuk është e angazhuar në ndonjë punë jashtë shtëpie.

Dita e saj nis me shoqërimin e tyre në shkollë e kopsht, marrjen e tyre, ushqyerjen, si dhe një sërë angazhimesh të tjera. Panorama nuk është e njëjtë për Alma Ll., e cila është një gjyshe pranë moshës së pensionit, por me qëllime të qarta që të ketë angazhime të tjera vetjake në vitet a ardhshme, të cilat nuk përfshijnë kujdesin ndaj mbesës së saj të vetme. Të dyja këto gjyshe jetojnë në Tiranë dhe të dyja janë po aq të ngjashme e të ndryshme me njëra-tjetrën. Gjyshërit e sotëm, të rritur në një epokë tjetër, kanë përvojën dhe diturinë që duan të ndajnë me pasardhësit e tyre, dhe janë më të interesuar në të qenët një burim i rëndësishëm i mbështetjes emocionale dhe mësimi për fëmijët e tyre.

Ndër vite, ata kanë pasur dëshirën që të kenë marrëdhënie më të ngushtë dhe të përkrahin zhvillimin dhe rritjen e nipërve e mbesave, duke i ndihmuar ata të kultivojnë vlera, tradita dhe historinë familjare. Megjithatë, vitet e fundit shihen tendenca të reja që lidhen me ndryshime të rolit të gjyshërve, siç është kujdesi për veten dhe shpërbërja e stereotipave tradicionale rreth funksionit të tyre në familje.

“Tendenca që gjyshërit nuk dëshirojnë më të jenë thjesht ‘babysitter’ për nipërit dhe mbesat po ndryshon ndjeshëm. Ata duan të marrin më shumë kohë për veten dhe të kujdesen për shëndetin dhe mirëqenien e tyre, sepse kuptojnë se për të ndihmuar më mirë fëmijët e tyre duhet të jenë vetë në formë dhe të kënaqur”, – thotë psikologia Valentina Telhaj.

Sipas saj, vitet e fundit vihet re një numër në rritje i gjyshërve të cilët nuk vetofrohen për kujdesin e nipërve apo mbesave, dhe i japin përparësi kujdesit për veten, edhe në rast se nuk janë në marrëdhënie pune apo janë në pension. 

Ana tjetër e medaljes

Një nga kambanat e alarmit të ngritura nga psikologët vitet e fundit është se angazhimi i gjyshërve për rritjen e mbesave apo nipërve mund t’i dëmtojë ata. Sipas psikologes Valentina Telhaj ka të dhëna në botë se kujdesi ndaj fëmijëve sjell norma më të larta se normalia të depresionit, pagjumësisë, problemeve emocionale dhe problemeve kronike shëndetësore si hipertensioni dhe diabeti; ndjenjës së rraskapitjes, vetmisë dhe izolimit te gjyshërit.

Sipas saj, shpesh edhe ndjenjën e të pasurit pak privatësi dhe shumë pak kohë për të kaluar me bashkëshortët, miqtë dhe anëtarët e tjerë të familjes. “Ekziston një shkallë disproporcionale e lartë e varfërisë mes gjyshërve që rrisin nipërit e mbesat dhe më shumë se 40% raportojnë se kanë nevoja ekonomike ose shërbimesh sociale, për veten ose, më shpesh, për nipërit e mbesat, të cilat janë të paplotësuara.

Ndaj kemi dëgjuar shpesh histori që fëmijët i paguajnë prindërit për t’u kujdesur për nipërit e mbesat. Në realitetin shqiptar është pak e vështirë të konceptohet, por po ndodh dalëngadalë”, – thotë znj. Telhaj. Megjithatë, sipas psikologes, ka edhe “shpërblime” shpirtërore. “Disa gjyshër thonë se ndihen më të rinj për shkak të përfshirjes përsëri në jetën e përditshme të fëmijëve, vrapimit për në aktivitete pas shkollës ose leximit të librave për të vegjël ose shohin filma bashkë. Ata thonë se ndihen të dobishëm, pikërisht në kohën e jetës kur moshatarët e tyre raportojnë se ndihen gjithnjë e më pak të nevojshëm. Fëmijët mund të përfitojnë gjithashtu; sipas disa studimeve, fëmijët e rritur nga gjyshërit kanë më pak probleme në sjellje.

Megjithatë, ka edhe studime kundërshtuese se fëmijët e rritur nga gjyshërit kanë më shumë gjasa të jenë obezë, por kjo është një çështje tjetër për diskutim” – thotë psikologia.

INSTAT: Jetëgjatësia e shqiptarëve rritet me 45%

Jetëgjatësia u rikthye me ritme më të larta se para pandemisë, si për burrat dhe për gratë vitin e kaluar, raportoi INSTAT. Më 2022, gratë në vendin tonë jetuan mesatarisht 80,9 vite, kurse burrat 77.3 vite. Gratë jetuan 2.2 vite më shumë se në vitin 2021 dhe burrat 2.9 vite më shumë, duke kaluar edhe nivelet para pandemisë.

Jetëgjatësia shënoi rritje të shpejtë, nga efekti numerik që krijoi pandemia COVID-19 me mortalitet të lartë në vitet 2020 dhe 2021 sidomos te burrat.

Mosha mediane (që ndan popullsinë në dy gjysma të barabarta) për burrat, në vitin 2022 është 38,1 vjeç, ndërsa për gratë, 39,7 vite. Mosha mediane më e lartë te gratë shpjegohet me jetëgjatësinë më të madhe të tyre. Në vitin 2022, gratë jetojnë 3,6 vite më shumë se burrat.

Jetëgjatësia është përmirësuar ndjeshëm që nga mesi i shekullit të kaluar deri më tani. Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2022, jetëgjatësia u rrit me 45%.

Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë nëse përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%. Nga 54.4 vjeç, më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Që nga ajo kohë, treguesi i jetëgjatësisë në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta.

Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur, i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Revolucioni që po sjellin gjyshërit

Njerëzit jetojnë më gjatë. Jetëgjatësia në botë është rritur nga 51 në 72 vjeç që nga viti 1960. Dhe përballë kësaj, familjet po tkurren. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i foshnjave që një grua mund të presë të ketë gjatë jetës është përgjysmuar, nga 5 në 2.4. Kjo do të thotë se raporti i gjyshërve të gjallë ndaj fëmijëve po rritet vazhdimisht.

“Kemi zbuluar se ka 1.5 miliardë gjyshër në botë, nga 0.5 miliard në vitin 1960 (edhe pse sa më mbrapa shkon, aq më të paqarta bëhen vlerësimet). Si pjesë e popullsisë janë rritur nga 17% në 20%. Dhe raporti i gjyshërve me fëmijët nën 15 vjeç është rritur nga 0,46 në 1960 në 0,8 sot. Deri në vitin 2050, ne parashikojmë që do të ketë 2.1 miliardë gjyshër (që përbëjnë 22% të njerëzimit). Kjo do të ketë pasoja të thella”. Cilat janë këto pasoja?

Dëshmitë tregojnë se fëmijët rriten më mirë me ndihmën e gjyshërve – që zakonisht, në praktikë, do të thotë nga gjyshet. Dhe kjo do të sjellë një revolucion tjetër shoqëror të papërfunduar: gjyshër me pagesë.

Vendet e pasura përgjithësisht ofrojnë shërbime që i ndihmojnë gratë për kujdesin për fëmijët dhe punën. Por megjithatë shumë prindër kërkojnë ndihmë edhe nga gjyshërit. Pensionet e pleqërisë ndihmojnë, duke i lejuar gjyshërit të heqin dorë nga puna. Sipas një sondazhi, 50% e fëmijëve shumë të vegjël, 35% e fëmijëve të moshës së shkollës fillore dhe 20% e adoleshentëve në Amerikë kalojnë kohë me gjyshërit në një javë të zakonshme.

Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh. Janice Compton nga Universiteti i Manitobës dhe Robert Pollak i Universitetit të Uashingtonit mblodhën të dhënat dhe zbuluan se distanca brenda 40 kilometrave nga gjyshja e rriti shkallën e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për gratë e martuara me fëmijë të vegjël me 4-10 pikë përqindjeje.

“Në përgjithësi – vazhdon The Economist – duke u kujdesur për fëmijët duket se është e mirë për gjyshërit. Ata që kalojnë kohë me nipërit e mbesat raportojnë nivele më të ulëta të depresionit dhe vetmisë.

Por, një studim në Singapor, me familje kryesisht etnike kineze, zbuloi se shumë kujdeseshin për nipërit e mbesat e tyre më shumë për shkak të detyrës, sesa sepse u pëlqente. Shumë e kanë më të vështirë ndërsa plaken. Disa dëshirojnë një pension më çlodhës”. Në shumë vende, një përqindje e lartë e gjyshërve thonë se kujdesen rregullisht për nipërit apo mbesat – 62% në Belgjikë, 56% në Francë dhe 52% në Izrael./Monitor

Related Articles

Back to top button