GRABITËSI I BANKAVE ME MONOPATINË ELEKTRIKE: 120 MIJË EUROT I SHPENZOVA NË KAZINO, 6 MIJË EURO I PËRDORA PËR TË SHLYER BORXHET NË VLORË

Robert Duka, i arrestuar si autor i dy grabitjeve të bankave në Tiranë, dyshohet se ka shpenzuar pjesën më të madhe të shumës prej afro 120 mijë eurosh në kazino.
Sipas informacioneve nga hetimet, Duka u ka deklaruar punonjësve të policisë se paratë e grabitura në filialet e “OTP Bank” dhe “Raiffeisen Bank” i kishte shpenzuar duke luajtur në disa kazino të kryeqytetit.
Ndërkohë, 6 mijë euro nga shuma e grabitur dyshohet se ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit, për të shlyer borxhet që kishte ndaj tyre. Paratë janë sekuestruar nga policia gjatë kontrolleve të ushtruara në qytetin e Vlorës.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar edhe 2 200 euro.
Për të verifikuar pretendimet e Dukës lidhur me shpenzimin e parave në kazino, policia dhe prokuroria u kanë kërkuar katër kazinove në Tiranë informacion mbi praninë e tij si klient, dokumentacionin përkatës dhe pamjet filmike.
Sipas hetimeve, Duka dyshohet se është autori i grabitjeve të kryera më 2 qershor 2026 në filialin e “OTP Bank” dhe më 2 nëntor 2026 në filialin e “Raiffeisen Bank”. Në të dyja rastet, autori ka vepruar i maskuar dhe nën kërcënimin e një arme, ndërsa largimin e ka realizuar me monopatinë elektrike.
Hetuesit dyshojnë se në grabitjen e parë ai ka pasur edhe një bashkëpunëtor, i cili e ka ndihmuar të largohet me automjet.
Gjatë hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij, e cila ka deklaruar se nuk kishte dijeni për përfshirjen e bashkëshortit në grabitje. Ajo ka pretenduar se shuma prej 120 mijë eurosh ishte siguruar nga shitja e një apartamenti pranë stadiumit “Air Albania”.
Ndërkohë, Duka nuk ka dhënë deklarim zyrtar me procesverbal lidhur me pretendimet për shpenzimin e parave në kazino, pasi kjo nuk është lejuar nga avokati i tij mbrojtës.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse në dy grabitjet kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Mësohet gjithashtu se Duka ka qëndruar më parë në Greqi, ku dyshohet se ka kryer 26 grabitje me armë të bankave.




