Grabitje me armë zjarri në Fushë-Krujë, autori dyshohet për disa raste brenda pak orësh

Një grabitje me armë zjarri është shënuar pasditen e sotme në Fushë-Krujë, në një pikë karburanti, ku një person ka kërcënuar punonjësit dhe ka marrë xhiron ditore.
Sipas burimeve policore, autori dyshohet se ka kryer të paktën dy grabitje brenda pak orëve. Ngjarja ka nisur në Tiranë, ku i riu ka marrë një taksi dhe ka kërkuar të udhëtojë drejt Fushë-Krujës. Në afërsi të Tapizës, ai ka kërcënuar taksistin me armë zjarri, duke marrë vetë drejtimin e mjetit, ndërsa shoferin e ka lënë në një zonë të largët, pasi i ka marrë paratë dhe celularin.
Më pas, autori është drejtuar drejt një pike karburanti në afërsi të Milotit, ku nën kërcënimin e armës i ka marrë punonjësit shumën e parave që përbënte xhiron ditore.
Pas grabitjes, mjeti i vjedhur është gjetur i braktisur pranë një xhamie në Fushë-Krujë, ndërsa autori është larguar në këmbë, duke humbur gjurmët.
Policia bën me dije se autori është identifikuar dhe vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Hetimet po zhvillohen për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e rasteve të tjera të dyshuara.




