“Grevë” me orar dhe marrëveshje me porosi – sindikata e naftëtarëve mbyll shfaqjen 17-ditore!

Pas plot 17 ditësh “grevë urie”, sindikata e sektorit të hidrokarbureve në Marinzë vendosi të mbyllë me nxitim protestën që vetë e quante “kauzë për dinjitetin e punëtorëve”. Nga 20 persona që u ngujuan në zyrat e sindikatës, vetëm 10 u shpallën si grevistë të urisë, ndërsa pjesa tjetër duket se mbante orarin e zakonshëm të punës.
Çuditërisht, fundi i grevës përkoi pikërisht një ditë pas deklaratës për shtyp të kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila lavdëronte “marrëdhënien e shkëlqyer me punonjësit” dhe “kontributin e saj për mirëqenien e komunitetit”. Kaq u desh, që sindikata të njoftonte papritur “takim konstruktiv” me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe të mbyllte grevën pa asnjë rezultat konkret.
Në vend të përfitimeve që kërkonin – rritje page, trajtim të barabartë e kushte më të mira pune – grevistët dolën me një premtim të zakonshëm për “dialog” dhe “trajtim me prioritet”, formulime që zakonisht shërbejnë për të mbyllur çdo çështje pa zhurmë.
Ndërkohë që greva u shua si me buton, sindikata njoftoi se do ta “rinisë” protestën më 5 nëntor në Fier, një tjetër episod i serialit që ngjan më shumë me një performancë të orkestruar sesa me një revoltë të vërtetë punëtore.
Në fushën e naftës, puna vazhdoi normalisht, nëpërmjet nënkontraktorëve. Në zyrat e sindikatës, grevistët dolën me ujë në dorë dhe “marrëveshje në xhep”.
Një grevë që nisi për drejtësi, por përfundoi si skenar i mbyllur me miratimin e kompanisë.




