Guri i “Shën Janit” në Fier – Objekti i shenjtë që u kthye në vend pelegrinazhi
FIER – Në fshatin Topojë të Fierit ndodhet një objekt që banorët e zonës e konsiderojnë të shenjtë. Me origjinë të panjohur, por me pamje dhe gdhendje që i përkasin periudhës antike, guri i njohur si “Shën Jani” është shndërruar ndër vite në një vend pelegrinazhi për besimtarë nga zona të ndryshme të vendit.
Prej më shumë se 30 vitesh, kujdesin për këtë gur e mban Gjena Gjoni, 75 vjeçe, e cila tregon se vizitorët vijnë për të kryer rituale shprese dhe besimi. Për banorët vendas, guri i mermerit përcjell një përzierje ndjesish, mes adhurimit dhe frikës.
Sipas tregimeve të zonës, disa fatkeqësi ndodhën pasi guri ishte hedhur në ujërat e kanalit vaditës. Këto ngjarje u interpretuan si ndëshkim hyjnor, çka detyroi autorët e veprimit ta nxirrnin gurin dhe ta rikthenin në vendin ku ndodhej më parë.
Përtej legjendave dhe besimeve popullore, burime historike tregojnë se guri i “Shën Janit” i përkiste kishës me të njëjtin emër, e ndërtuar mes shekullit të V dhe të X të erës sonë. Kisha ndodhej mes fshatrave Shën Pjetër dhe Topojë, në zonën e njohur si rrethinat e Apolonisë.
Në vitin 1967, nga kisha paleokristiane kishin mbetur vetëm disa gurë, të cilët u zhvendosën ose u përdorën si materiale ndërtimi. Guri i “Shën Janit” ishte i vetmi që u ruajt, duke mbijetuar në kohë dhe duke u kthyer në një simbol legjende dhe besimi për komunitetin vendas.




