Hakerohet sistemi kompjuterik i Gjykatës së krimeve të luftës në Hagë: Zbuluam një aktivitet të pazakontë në rrjetin tonë
Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) tha të martën se sistemi i saj kompjuterik ishte hakeruar, një shkelje në një nga institucionet ndërkombëtare të profilit më të lartë në botë dhe që trajton informacione shumë të ndjeshme rreth krimeve të luftës.
ICC tha se kishte zbuluar një aktivitet të pazakontë në rrjetin e saj kompjuterik në fund të javës së kaluar, duke nxitur një përgjigje që ishte ende në vazhdim. Një zëdhënës nuk pranoi të komentojë se sa serioz ishte hakerimi, nëse është zgjidhur plotësisht ose kush mund të qëndrojë pas tij.
“U miratuan masa të menjëhershme për t’iu përgjigjur këtij incidenti të sigurisë kibernetike dhe për të zbutur ndikimin e tij”, tha ICC në një deklaratë të shkurtër.
ICC është gjykata e përhershme e krimeve të luftës në qytetin holandez të Hagës, e themeluar në vitin 2002 për të gjykuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Prokurorët në gjykatë aktualisht po kryejnë 17 hetime për situata në Ukrainë, Ugandë, Venezuelë, Afganistan dhe Filipine, ndër të tjera.
Në mars, gjykata ishte në titujt kryesorë kur lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin me dyshimin për dëbim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina. Kremlini hedh poshtë akuzat dhe juridiksionin e gjykatës.
Dokumentet shumë të ndjeshme në GJPN mund të përfshijnë çdo gjë nga provat penale deri te emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, megjithëse gjykata nuk zbuloi se në cilën pjesë të sistemeve të saj ishte aksesuar.