Hasturkas nën ujë edhe pas 24 orësh, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Situata në fshatin Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë, vijon të mbetet problematike edhe 24 orë pas daljes së lumit Seman nga shtrati. Edhe pse niveli i ujit ka shënuar një rënie të lehtë, rreth 20 banesa vazhdojnë të jenë të përmbytura.
Sipas banorëve, uji është ulur me rreth 20 centimetra, por dëmet mbeten të konsiderueshme. Përmbytja ka shkaktuar dëme në stane, në sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore dhe në kultura të mbjella, kryesisht vreshta, ullinj dhe foragjere, si dhe në koshere bletësh.
Banorët kërkojnë që qeveria të dërgojë sa më parë ekipet e verifikimit për evidentimin e dëmeve dhe hapjen e procedurave për dëmshpërblim.
Ndërkohë, situata mbetet alarmante për shkak të çarjes së argjinaturës në disa segmente. Sipas banorëve, kjo paraqet një rrezik serioz, pasi parashikohen reshje të reja shiu dhe ekziston frika e një vërshimi të dytë të ujit. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bordi i Kullimit për bllokimin e çarjeve.
Sipas të dhënave nga terreni, situata po shkon gradualisht drejt normalizimit. Raportohet se ka pasur pak shpendë të ngordhur, por nuk ka pasur bagëti të mbytura, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë, të cilat ndihmuan në largimin e bagëtive nga zonat e rrezikuara.
Disa banorë që mbetën të izoluar janë evakuuar dhe sistemuar në zona të sigurta. Situata në Hasturkas vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa priten masa konkrete për riparimin e argjinaturës dhe vlerësimin e plotë të dëmeve.




