Himarë – Finalizohet operacioni “Midnight”, arrestohet autori i disa vjedhjeve, i kapet edhe arsenal armësh në banesë

Policia e Himarës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Midnight”, i fokusuar në goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. G., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj 2025, menjëherë pasi kishte kryer një vjedhje në ambientet e një kompleksi me apartamente pushimi në Himarë, ku kishte marrë tre celularë dhe një shumë parash.
Gjatë kontrollit në ambientin ku qëndronte, policia gjeti dhe sekuestroi 10 granata dore luftarake, 6 aparate celularë të dyshuar si të vjedhur, si dhe veshje dhe doreza të përdorura gjatë vjedhjeve.
Nga hetimet rezulton se S. G. është autor edhe i dy vjedhjeve të tjera të ndodhura më datë 7 dhe 11 maj 2025, në të njëjtin kompleks dhe në një banesë në lagjen “Livadh”, ku janë vjedhur celularë dhe shuma prej 98,000 dhe 90,000 lekësh.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua edhe shtetasja D. Rr., 27 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila akuzohet për moskallëzim krimi, pasi qëndronte në të njëjtin ambient me autorin dhe dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin kriminal.
Policia vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve të tjera, ku ky shtetas dyshohet si autor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.