Himarë/ Finalizohet Operacioni Policor “Parts 21” për Goditjen e Veprimtarisë Kriminale në Fushën e Narkotikëve
Himarë, 27 Korrik 2024 – Pas një hetimi proaktiv trejavor, Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe me mbështetjen e Forcës së posaçme “Shqiponja”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 21”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi M. A., 42 vjeç, banues në Vlorë, i cili po përgatiste doza me kokainë me qëllim shpërndarjen e tyre në lokalet e natës në Himarë.
Gjithashtu, po punohet për kapjen e pronarit të servisit të makinave ku përgatitej lënda narkotike, shtetasi B. Ç., 37 vjeç, banues në Qeparo, i cili ia kishte lënë këtë ambient në dispozicion M. A., për të përgatitur lëndën narkotike dhe e ndihmonte atë me shpërndarjen, duke iu shmangur kontrolleve të Policisë.
Gjatë operacionit, u sekuestruan doza me kokainë, një peshore elektronike, dy aparate celularë dhe një automjet tip “Benz”.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Tempulli”, specialistët e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në inteligjencën policore, referuan materiale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për disa shtetas që ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në Himarë. Pas një hetimi me metoda proaktive për një periudhë trejavore, me mbështetjen edhe të Forcës së posaçme “Shqiponja”, është finalizuar operacioni “Parts 21”.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme. Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.