Historia që preku gjithë shqiptarët/ Babai i ndërroi jetë në aksident në Fier, Nikita: Më duket si ëndërr, do t’ja plotësoj dëshirën që më kërkoi

Ndarja nga jeta e Kreshnik Tomanit, një muaj më parë, ka prekur thellë zemrat e shqiptarëve. 34-vjeçari, baba i tre fëmijëve të mitur, u përplas nga një automjet ndërsa po kalonte rrugën dhe pas 10 ditësh në koma, nuk mundi të mbijetonte.
Emisioni “Për Shqiptarët” në Top Channel ka nisur një fushatë për të ndihmuar familjen dhe për të përmbushur amanetin e fundit të Kreshnikut: sigurimin e një shtëpie për fëmijët e tij.
Kreshniku kujtohet si një bashkëshort i përkushtuar dhe një baba i jashtëzakonshëm, veçanërisht për vajzën e madhe, Nikitën, e cila edhe sot beson se aksidenti ishte vetëm një ëndërr.
“Më plotësonte çdo dëshirë, nuk më thoshte kurrë jo. Ka qenë baba shumë i mirë, kushdo do ishte me fat ta kishte. Më thoshte gjithmonë mëso, kam në plan t’ja realizoj dëshirën babait. Doja që këtë vit shkollor ta nisja me babin, por nuk ndodhi ashtu”, u shpreh ajo me lot në sy.
Edhe bashkëshortja e tij kujtoi me dhimbje momentin tragjik që i ndryshoi përgjithmonë jetën:
“Hapa telefonin dhe pashë që kishte ndodhur një aksident. Mora vesh që ishte burri im. Kur shkova i gjeta shapkën. Nuk e njoha, ishte shpërfyturuar. U dergjëm 10 ditë në spital, por nuk ia doli. Vajzat çdo ditë kalojnë te vendi i aksidentit dhe kthejnë kokën, sepse është shenja atje.”
Historia e Kreshnikut ka prekur shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, ndërsa fushata për familjen e tij ka marrë mbështetje të gjerë në rrjetet sociale.




