Humb jetën 57-vjeçari në Divjakë, e zë poshtë traktori teksa punonte tokën

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure, 6 maj, në fshatin Barbunjë e Re, në Bashkinë Divjakë.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Kujtim Meçi, 57 vjeç, banor i Fier Semanit, ka humbur jetën pasi traktori me të cilin po punonte tokën e ka zënë poshtë.
Mësohet se 57-vjeçari ishte duke punuar në një plantacion me ullinj së bashku me bashkëshorten në momentin e ngjarjes tragjike.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se Meçi kishte një eksperiencë të gjatë si traktorist, prej rreth 20 vitesh. Gjithashtu, disa vite më parë ai kishte pësuar një tjetër aksident, ku freza e traktorit i kishte dëmtuar njërën këmbë.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.




