Humbën jetën duke punuar në Vjenë, trupat e tre viktimave nisen drejt Kosovës

Ambasada e Kosovës në Austri ka dalë me një njoftim të ri lidhur me 3 viktimat të cilat humbën jetën pas shembjes së skelës në një kantier ndërtimi në Vjenë.
Ambasada thekson se janë mbyllur të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me rastin tragjik dhe se trupat e viktimave janë nisur këtë të premte pasdite drejt Kosovës.
Më tej në njoftimin në “Facebook”, ambasada ka shprehur sërish ngushëllimet për familjarët e Asllan Musliut, Istref Zekajt dhe Pajtim Bajramit.
Gjithashtu ka falenderuar shqiptarët të cilët kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton se, në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave dhe autoritetet kompetente austriake, janë përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me rastin tragjik të ndodhur në Austri.
Trupat e pajetë të shtetasve tanë, Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, janë nisur sot pasdite për në Kosovë.
Në këto momente të vështira, shprehim edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, të afërmit e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje.
Njëherazi, shprehim mirënjohjen tonë për bashkatdhetarët tanë, të cilët, me interesimin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, treguan solidaritet në këto momente të vështira”, shkruhet në njoftim.




