Humbi në malin e Jezercës, gjendet i pa jetë turisti bullgar
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se turisti i cili u shpall i humbur në malin e Jezercës është gjetur i pajetë.
Në një postim në rrjetet sociale, sqarohet se kërkimet për turistin u bënë nga toka dhe ajri, por në fund u gjet vetëm trupi i tij i pajetë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën thirrje për kujdes të shtuar në zonat me rrezikshmëri të lartë si dhe ndjekje me përpikmëri të udhëzimeve të guidave të specializuara.
Postimi:
Pas marrjes së njoftimit, të gjitha strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, në nivel vendor dhe qendror janë angazhuar menjëherë.
Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura është ngritur në ajër, duke marrë me vete ekipin mjekësor dhe ekipin e kërkim-shpëtimi malor. Kërkimet filluan nga ajri për të zbuluar ndonjë shenjë të personit të humbur. Në të njëjtën kohë, ekipi i kërkimit- shpëtimit malor u la në afërsi të vendit për të vazhduar kërkimet nga toka.
Përpjekjet intensive dhe koordinimi i i strukturave vazhduan për disa orë, derisa u arrit që të gjendet trupi i pajetë i personit në nevojë.
🚨⚠️Kujdes! Në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe ne shumë raste të pashkeluar, është e rëndësishme që turistët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga guidat e specializuara. Siguria e tyre dhe e të tjerëve varet nga respektimi i këtyre udhëzimeve dhe informacioneve të rëndësishme për këto aktivitete sportive.