I dënuar me 35 vite burg, por ende në arrati: Bertil Alliaj ekzekuton kushëririn në prag të shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës fshatin Gjorm të Vlorës, ku biznesmeni 36-vjeçar Dalan Alliaj u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën. Viktima, pronar i kompanisë Allidagu në Fier, u ekzekutua me gjashtë plumba dhe u gjet i pajetë nga familjarët e tij në prag të shtëpisë.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar si kushëririn e tij, Bertil Alliaj, i dënuar më parë në mungesë për Masakrën e Çoles në vitin 2015. Në atë ngjarje, pas një sherri banal në një kazino, mbetën të vrarë tre të rinj: Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.
Bertil Alliaj u dënua me 35 vjet burg në mungesë, por autoritetet nuk arritën ta kapin, gjë që lë të kuptohet dështimi i policisë në ndjekjen e personave të rrezikshëm edhe pas më shumë se një dekade.
Dalan Alliaj u qëllua ndërkohë që ndodhej në shtëpinë e xhaxhait të tij, pranë derës së shtëpisë. Bertil Alliaj dyshohet të ketë ikur në zonat malore të fshatit, ndërsa policia vijon kërkimet.
Forcat e rendit, FNSH dhe ekspertët e kriminalistikës kanë shoqëruar pesë persona për pyetje, përfshirë kryeplakun e fshatit dhe djalin e xhaxhait të viktimës. Trupi i pajetë i Dalan Alliaj është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës, ku kanë mbërritur familjarë dhe të afërm.




