I riu fierak thyen rekord, 340 tonë luleshtrydhe të eksportuara drejt BE, në pak javë
Tregu ndërkombëtar po njeh gjithnjë e më shumë suksesin e prodhimeve shqiptare, dhe një ndër historitë më të spikatura këtë sezon vjen nga kompania “AGROPLANT Olsi Hamataj”. Që prej fillimit të sezonit, kjo kompani ka luajtur një rol kryesor në sektorin e bujqësisë dhe eksportit në zonën e Kafaraj, duke grumbulluar mbi 90% të prodhimit vendas të luleshtrydheve dhe duke eksportuar mbi 340 tonë drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ky sukses vjen si rezultat i përkushtimit për të garantuar produkte me cilësi të lartë, të cilat plotësojnë standardet strikte të tregut europian. Luleshtrydhet shqiptare, falë klimës së favorshme në zonën e myzeqesë dhe teknologjisë së avancuar të kultivimit, kanë fituar një reputacion të mirë, duke u bërë gjithnjë e më të kërkuara në tregjet ndërkombëtare.
“AGROPLANT Olsi Hamataj” është një nga kompanitë lider në sektorin e eksportit bujqësor, duke ndihmuar në promovimin e produkteve shqiptare dhe zgjerimin e pranisë së tyre jashtë vendit. Ky sukses jo vetëm që përforcon pozitën e kompanisë në tregun ndërkombëtar, por gjithashtu ndihmon fermerët vendas duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi për sektorin bujqësor në Shqipëri.
Me rritjen e kërkesës për prodhime cilësore dhe bio, Shqipëria po tregon se mund të jetë një konkurrent serioz në tregun global, duke ofruar produkte të freskëta dhe të shëndetshme për konsumatorët europianë.