I shpëtoi atentatit me 10 plumba në Greqi! Kush është Andrea Kalemi, pronar i dhjetëra bizneseve, i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës
Andera Kalemi është plagosur rëndë mbrëmjen e së mërkurës në vendin e quajtur Limani i Lakës në ishullin Paksi në detin Jon. I plagosuri quhet Andrea Kalemi, i cili dyshohet se është i implikuar me vrasjen e Edmond Papës, i vrarë në muajin dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Po ashtu, ai është akuzuar se ka vrarë dy persona në Belgjikë në vitin 2001.
Policia dyshon për një debat të çastit, ku debati mes dy tyre degradoi në përplasje fizike, ku autori i dyshuar nxori nga xhepi një pistoletë dhe qëlloi disa herë mbi viktimën i cili mbeti i plagosur. 51-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetën në spitalin e Janinës.
Policia thotë se ngjarja mund të jetë larje hesapesh për borxhe të vjetra mes autorit dhe viktimës, ose edhe pista e hakmarrjes. Situata pritet të sqarohet nëse bëhet i mundur arrestimi i autorit ose pas dëshmisë së të plagosurit.
Vrasja e Edmond Papës dhe kushëririt të Andrea Kalemit
Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihet pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë. Kjo është pista kryesore e ngritur nga policia e Tiranës e cila nga verifikimet paraprake dyshon se vrasja e Edmond Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.
Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe kundërshtari i tij janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së ndodhur në qershor të këtij viti. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë. 49-vjeçari u ekzekutua pasditen e së premtes së 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.
Andrea Kalemi është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, të riut të vrarë me tritol më 11 qershor në Tiranë. Kalemi rezulton të ketë lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Të dy bashkë me individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, dyshohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e 27-vjeçarit është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin e Edmond Papës. Hoteli menaxhohej dhe nga vëllai i 49-vjeçarit Kristo Qirici.
Aleksandër Sadikaj kishte fjetur në këtë hotel dy ditë para se të ekzekutohej me tritol në makinë. Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin
Bizneset e Andrea Kalemit
Andrea Kalemi është bashkëpronar i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k me adresë në Memaliaj dhe objekt “Ne fushën e tregtisë, import, eksport, tregti me shumicë dhe pakiëe e mallrave industriale, ushqimore, bujqësorë e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregtim i materialeve të ndërtimit, inerte, rëre, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, të lëndës drusore, plastike, duraluminit etj.
Mes bizneseve ai ka në pronësi bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele, agjensi shitblerje dhe dhënie me qira të pasurive të patundshme, agjenci transporti të udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete të ndërtimit.
Çfarë thotë Policia greke për atentatin?
Viktima, i cili sipas Policisë ishte duke vizituar ishullin me familjen e tij, teksa lëvizte i vetëm, ka marrë sulmin në vendin ku janë gjetur rreth 14 gëzhoja.
I plagosuri u dërgua fillimisht në qendrën shëndetësore të Paxos, ndërsa më pas u transportua në gjendje shumë të rëndë me mjet privat në portin e Igumenicës dhe prej andej u transferua në spitalin e Janinës ku iu nënshtrua operacionit dhe ndodhet i shtruar në një. gjendje shumë kritike.
Sipas informacioneve, në vendngjarje nuk ka pasur dëshmitarë okularë. Disa fqinjë dëgjuan një të shtënë, dolën nga një dyqan dhe panë një të plagosur në tokë. Më pas kanë njoftuar rojet bregdetare.
Në kërkim është autori i paidentifikuar që qëlloi në portin e Lakkës.