AKTUALITETART & KULTURFIERI YNË TV

“I SHTRENJTI IM, LANDI”. Gjashtë vjet pa Roland Roshin


(Nga Pëllumb Kulla)
.
Ti, Roland Roshi, më erdhe në një ditë shtatori të vitit 1977, atë ditë kur u paraqite në teatrin tonë (“Bylis”) me atë drojën e të riut, por me sytë plot dritë.
E që atëherë nuk u ndamë më, as në ditën e ikjes tënde. E nuk do të ndahemi as gjer në atë të ikjes sime…

Reklama në FieriWeb - “VEGA GROUP”

ℹ️Jeta jonë në teatrin e Fierit, në mjedisin shoqëror, në bashkëpunimin tonë mbi skenë dhe në faqe të ekranit, ishte një nga motivet më të bukura që zgjohen shpesh në kujtesën time. Ne të dy kishim një diferencë moshe, një bagazh jetësor të ndryshëm, një prejardhje shoqërore mjaft të kundërt. Unë kisha një nevojë të vjetër për solidaritetin tënd.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Nuk është se unë isha fare pa mbështetje mes artistëve të mrekullueshëm që na gjete ti aty, por mbështetja jote dhe pas teje ajo e Arqile Licit, Ilir Bezhanit, Rik Hoxhës, Pano Kondos, Astrit Hasanit, artistë me vlera dhe me integritet, me prapavija familjare me peshë shoqërore, u bënë për mua dhurata Perëndie.

Reklama në FieriWeb - “ALNORA”

Dhe veçanërisht ajo e jotja, i shtrenjti im. Unë nuk do të harroj përkushtimin tënd në qasjen tek “Kënga e Buzëqeshjes”, ndihmën per tekstin e “Dy Krismave në Paris” teksa diktoje përmbi kokën e daktilografistes…

Reklama në FieriWeb - “OAZI I PISHAVE”

Pastaj roli i heroit libohovit që ti dhe Fatosi, jo vetëm e luajtët. E shenjtëruat.

Po shfaqjet që krijuam bashkë në kuadrin e estradës (së Fierit), Land?

Reklama në FieriWeb - “MEGATEK”

Po bredhjet në malësitë e Përmetit tënd për realizimin e serialit televiziv të humorit popullor, duke kërkuar natyrën e virgjër që na lipsej t’u shkonte përshtat përrallave aq të bukura të trashëgimisë së hershme?

Na mbeti mjerisht i pa realizuar projekti. Me nostalgji kujtoj bukurinë e fshatrave përmetare në të dy anët e Vjosës, asaj ujënaje të kthjelltë që i hijeshon më mirë se çdo lumë tjetër të dy brigjet e saja deri në Adriatik.


ℹ️Ja, Vjosa!… Më vjen shpesh rasti të kujtoj dasmën tënde në Përmetin e bukur. Erdhën të ta festonin të dyja trupat artistike, të teatrit dhe estradës së Fierit.
Vinim aty, të gëzonim bashkimin tënd me Jetën, gruan tënde të dashur…
Këtej nga familja jonë na bëhet sikur ishim pikërisht ne, unë dhe ime shoqe, Xhuljeta, që ju shtymë në krahët e njëri tjetrit.
Jeta Agalliun natyra e pat paisur me rekuizitat e një aktoreje mjaft premtuese qysh në bankat e gjimnazit, me atë zë të thellë drithërues, me atë portret vajzëror aq tërheqës. Xhuli e zgjodhi vajzën mes gjimnazistëve dhe e solli në teatër.
Dhe aty, ju të dyve, ju bashkoi yllësia!…
Dasma juaj, që pritej të gëzonte tërë atë qytet piktoresk buzë Vjosës, rastisi të bëhej në ca kushte të pafavorshme. Ishte viti që kishte vdekur Enver Hoxha dasmat dukeshin si të dënuara të bëheshin pa zë. Njerëzit shpresonin te prindërit e tu, që të bëheshin ata, që do ta prishnin agjërimin orkestral, at agjërim, që edhe pse i padekretuar nga zia, edhe pse i prishur anembanë vendit, në Përmet po vazhdonte akoma. Prisnin tënden, që më pas dasmat e përmetarëve të përshkënditeshin nga Laveri me shokë… Madje, në fund të autobuzit që sillte nga Fieri artistët e tu, ishin stivosur edhe veglat muzikore me shpresën se do të thoshin, edhe ato fjalën e tyre në harènë e dasmës.

Orkestrantët e estradës, si kuaj beteje, fërgëllonin nga përfytyrimi i asaj mbrëmje që i pat thirrur aty, pranë Shkëmbit legjendar buzë Vjosës.

Por baba Harrilla dhe mama Vangjelia e kujdesëshme, ndjenin ca detyrime të pashkruara, por tepër të forta. Me keqardhje të pamatë ata nuk morën dot përsipër të çelnin rrugë për dasmat e qytetit. Ata dy prindërit e tu aq të dashur nuk kishin faj, kur iu shmangën përgjegjësisë që t’u hapnin udhën këngëve dhe valleve. Dhe si tek “Bernarda Alba” e F. G. Lorkës, ia bënë kurban zisë të të parit të partisë, dasmën e shumëpritur të djalit të vetëm.


Atëherë ne, artistët e largët ardhur me autobuz, nuk u pajtuam me një dasmë të heshtur. U ngritëm një e nga një dhe secili, pasi mbaronte formulën e tij të urimit, tregonte një histori me episode qesharake nga shfaqjet tona.
Episodet na dolën të panumërt dhe në vend që të dukeshin ca si tepër, u bënë befas edhe më të kërkuar nga shokët të cilët kujtoheshin dhe i propozonin njërin pas tjetrit. Atmosfera qe ndezur, vapa qe shtuar, dritaret u hapën dhe gazi derdhej përmbi Vjosën që rridhte aty pranë e na i merrte të qeshurat e dasmës së Landit dhe të Jetës dhe tok me valëzat e saja lodërtare, na i shpinte në det.
Dasma nuk bënte pushim. Nuk rreshtnin episodet dhe aventurat, me tregime se si zbaviten vetë artistët në jetët e tyre prapaperdeve. Salla ziente nga harèja. Saksat dhe trombat le të dergjeshin në fund të autobuzit! Nuk kishim nevojë për to!
Dasëm, po dasëm!…
Të qeshurat nuk rreshtën për nja tri orë të mira dhe dasmorët po bindeshin se festat e martesave u bëkshin edhe pa saze dhe pa tromba. Nga pikpamja e respektimit të asaj zie të qeshurat duhej të konsideroheshin më herezi se sa ahengu. Por njerëzit e humorit, të bërë tok, i kishin kthyer shpinën pikëllimit të zgjatur të atij prilli.


Shumë vite më vonë babin tënd, që nuk e lija kurrë pa vizituar sa herë zbrisja në Përmet, e gjeta në shtrat, të dobësuar dhe të pafuqishëm. Më pa dhe iu bë shumë qejfi për vizitën e radhës. Urdhëroi zonjën Vangjeli të më qeraste me atë rakinë e veçuar, që ajo na e nxirrte nga një shishe mjaft e madhe qelqi.
“Mbështillja dhe le ta marrë ky me vete!” urdhëroi gruan me sy të njomur nga lotët, Harrilla. Dhe kur më pa të habitur, ngaqë nuk po e kuptoja përse unë duhet ta merrja rakinë e mbetur, më sqaroi: “E shikon që shishja është përgjysmë? Ajo sasi që mungon e ke pirë ti me shokët e tu. E kemi hequr mënjanë dhe jua kemi nxjerrë vetëm juve këtë raki…. Është raki nga ajo dasmë e djalit.”
Dhe u shkreh në lotë, por gjithsesi vazhdoi me zë të këputur: “E asaj darke që ma bëtë festën më të bukur të jetës sime!… “

Eh, sa kujtime si ky kanë miqtë e tu, Land!
Dhe i ledhatojnë ato kujtime…
Me buzë në gaz dhe me lotë në sy.

Dhe i sjellin në kujtesë jo vetëm në të njezetegjashtën ditë shtatori, si kjo e sotmja, o Land i shtrenjtë!…

Related Articles

Back to top button