I vuri flakën mbeturinave, por dogji një sipërfaqe me ullinj duke rrezikuar disa banesa, procedohet 58-vjeçari në Lushnjë
Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 58-vjeçar pasi dyshohet se duke djegur mbeturinat në fshatin Zhamë të Lushnjës, janë përfshirë nga flakët edhe sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe shkurre.
Ramadan Zoga dyshohet se i ka vendosur flakën mbeturinave, dhe era ka favorizuar flakët duke e shpërndarë atë me tej, drejt zonave të kodrave me ullishte dhe shumë pranë banesave të fshatit.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë
Ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në fshatin Zhamë, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të konsiderushme me ullinj, bimësi dhe shkurre, duke rrezikuar dhe banesa, reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të zjarrvënies.
Policia ka evakuuar banorët nga banesat që mund të rrezikohen nga zjarri.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zham ka rënë zjarr, bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshurar të zjarrvënies.
U shoqërua dhe po kryhen veprimet e mëtjeshme hetimore procedurale për shtetasin R. Z., 58 vjeç, i cili ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj dhe pemë të ndryshme në fshatin Zham.
Në vendngjarje ndodhet grupi i drejtimit të DVP Fier, shërbimet e Policisë Fier, disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier dhe shërbimet zjarrëfikëse të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të dyshuar.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.