Ilir Meta del sot para Gjykatës së Posaçme për konfirmimin e masës së sigurisë
Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me 3 të pandehurit e tjerë, mes të cilëve ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi do të dalin sot përpara Gjykatës së Posaçme.
Meta pritet të dalë sot në gjykatë për konfirmimin e masës së sigurisë, “arrest me burg”. Përmes një njoftimi për shtyp, gjykata shprehet se seanca për verifikimin e kushteve do të nisë në orën 9:30.
Më pas Meta pritet të dërgohet në qelitë e paraburgimit.
Në dosjen hetimore të SPAK prej 176 faqesh që çoi në pranga ish-Presidentin Meta dhe vuri në akuzë 3 të tjerë, Prokuroria e Posaçme shprehet se janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste. Së pari, për marrëveshjen e CEZ me DIA, SPAK thotë se ka administruar prova se Meta në kohën që ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës ka përfituar para në formën e korrupsionit nga biznesmeni Kastriot Ismailaj, në cilësinë e administratorit të kompanisë DIA.
Ky dyshim, provohet sipas prokurorisë edhe përmes disa përgjimeve të realizuara vite më parë, mes të cilave 1 në vitin 2009. SPAK, shprehet se Meta përmes një sms-je i kërkon biznesmenit, Ismailaj para. Marrëdhënia e ngushtë mes tyre sipas organit të akuzës provohet dhe nga udhëtimi i tyre drejt Çekisë, atje ku SPAK ka dyshimet se ka nisur marrëveshja mes CEZ dhe DIA.