Ilir Proda në Gjermani: Forcohet bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me partnerët gjermanë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani, ku takoi Ministrin e Brendshëm të North Rhine-Westphalia, Herbert Reul, Zv/Presidentin e Policisë Federale Gjermane, Peter Beiderwieden, Drejtorin e BKA-së, Holger Münch, dhe Zëvendëspresidentin e Universitetit Gjerman të Policisë, Uwe Marquardt.

Vizita u realizua me rastin e ceremonisë së diplomimit të Kryekomisar Emilijano Resulaj në programin “Administrata Publike – Menaxhimi i Policisë” në Universitetin Gjerman të Policisë. Gjatë qëndrimit, Drejtori Proda dhe delegacioni i shoqërues zhvilluan takime të rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin me institucionet gjermane në luftën kundër krimit të organizuar.

Proda theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar: “Krimi po bashkëpunon globalisht, dhe për ta luftuar duhet bashkëpunim global. Kemi një qëllim, një mision dhe duhet të punojmë së bashku për të bërë më të mirën për qytetarët e vendeve tona.”

Partnerët gjermanë vlerësuan sukseset e Policisë Shqiptare dhe shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin e ardhshëm, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit, operacione të përbashkëta hetimore dhe trajnime të përbashkëta.

Në ceremoninë e diplomimit, Drejtori Proda nënvizoi rëndësinë e shkollimit dhe trajnimeve të vazhdueshme të oficerëve shqiptarë dhe reformimin e Akademisë së Sigurisë për t’u binjakëzuar me akademitë europiane dhe amerikane të sigurisë.
Zëvendëspresidenti i Universitetit Gjerman të Policisë, Uwe Marquardt, shprehu gatishmërinë për të mbështetur trajnime dhe studime master për oficerët shqiptarë dhe për të shkëmbyer eksperienca mes dy institucioneve.




