Ilir Proda takim me Harry H. Hardman: Partneritet mes Policisë së Shtetit dhe Shkollës “Bush”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një takim miqësor z. Harry H. Hardman, anëtar i Bordit të Shkollës “Bush” për Qeverisje dhe Shërbim Publik në Universitetin A&M të Teksasit, me mbi 22 vite përvojë në këtë institucion.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Akademisë së Policisë dhe Shkollës “Bush”, përmes krijimit të partneriteteve akademike e profesionale, shkëmbimit të studentëve e stafit pedagogjik, si dhe zhvillimit të programeve të përbashkëta trajnimi.

Proda e cilësoi ofertën e Shkollës “Bush” si një vlerë të shtuar për Policinë e Shtetit dhe një kredencial të rëndësishëm për Akademinë e Sigurisë. Nga ana e tij, Hardman shprehu gatishmërinë për të ndërtuar partneritete afatgjata akademike dhe profesionale me Policinë e Shtetit shqiptar.
Të dy palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimimit dhe trajnimit policor, si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të mëtejshëm të Policisë së Shtetit.




