INSTAT: 1.9 milionë turistë kanë hyrë vetëm në muajin qershor në Shqipëri
Në territorin e Shqipërisë gjatë muajit qershor 2024, kanë hyrë 1.921.208 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, ky tregues ka pësuar një rritje me 21,5 %, krahasuar me Qershor 2023.
INSTAT bën të ditur se 1.788.916 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 20,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sa i përket hyrjeve të shtetasve në qershor 2024, INSTAT bën me dije se “numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 676.241, duke pësuar një rritje me 17,7 %, krahasuar me qershor 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.244.967. Ky numër është rritur me 23,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”.
Lidhur me daljet e shtetasve, INSTAT informon se në muajin qershor 2024, 642.471 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 11,5 %, krahasuar me Qershor 2023.
“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit qershor 2024 janë 1.146.445. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 25,4 %”, shtoi INSTAT.
Në qershor 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.174.197 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 41.921 dhe 11.103 shtetas.
Në qershor 2024, krahasuar me qershor 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë rritje, për qëllime personale me 23,2 %; rritje, për qëllime pushime,vizitë tek të afërm, etj., me 25,1 %; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 57,2 %.
Sipas INSTAT gjatë periudhës janar-qershor në vendin tonë kanë hyrë 4.547.89 shtetas të huaj.