Ish-fusha e mbetjeve në Fier shndërrohet në një oaz të gjelbër. Subashi: Ky është një tjetër hap drejt një qyteti më të pastër dhe më të gjelbër.

Fier – Aty ku dikur tymi dhe era e rëndë nga djegia e mbetjeve krijonin shqetësime për banorët e lagjes Sheq i Madh dhe të gjithë qytetit, sot lulëzojnë pemë dhe gjelbërim. Ish-fusha e mbetjeve urbane, e cila për vite me radhë ishte një burim ndotjeje dhe rreziku për shëndetin e qytetarëve, ka marrë një pamje krejtësisht të re.

Falë projekteve të Bashkisë Fier, punëtorët e gjelbërimit kanë mbjellë dhjetëra pemë eukalipti, duke e shndërruar këtë zonë të degraduar në një park të pastër dhe të bukur. Ky transformim jo vetëm që përmirëson cilësinë e ajrit, por gjithashtu krijon një hapësirë të re për qytetarët, duke i dhënë Fierit një frymëmarrje më të shëndetshme.

Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, në një postim të fundit ka theksuar rëndësinë e këtij projekti:
“Vazhdon mbjellja e pemëve në ish-fushën e mbetjeve! Ky është një tjetër hap drejt një qyteti më të pastër dhe më të gjelbër për të gjithë ne.”

Banorët e zonës, të cilët dikur përballeshin me problemet e shkaktuara nga grumbullimi dhe djegia e mbetjeve, sot shprehin kënaqësinë për këtë ndryshim të madh. Ata shpresojnë që nisma të tilla të vijojnë, duke e bërë Fierin një shembull për menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit.
