Ish-konkurenti i “Për’puthen” arrestohet në Tiranë, dyshohet se tregtonte mallra me logo false

Ish-konkurenti i emisionit “Për’puthen”, Hysen Ramaj, 29 vjeç, është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se tregtonte mallra kontrabandë me logo të markave të njohura ndërkombëtare, në një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”, në kryeqytet.
Gjatë kontrollit në subjekt, shërbimet e Policisë konstatuan produkte të ndryshme veshjeje dhe aksesorë, që mbanin marka të njohura, pa dokumentacion që vërtetonte origjinën dhe ligjshmërinë e tyre. Mallrat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 29-vjeçarit kanë nisur procedurat ligjore për veprat penale përkatëse.
Njoftimi i Policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Etiketa”.
Zbulohet një tjetër subjekt, ku shiteshin produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje.
Arrestohet pronari i dyqanit në rrugën “Sulejman Delvina”.
Sekuestrohen mallrat.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve me qëllim konstatimin e subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në informalitet, duke shmangur detyrimet tatimore, finalizuan operacionin e koduar “Etiketa”, gjatë të cilit u zbulua një subjekt tregtar në rrugën “Sulejman Delvina”.
Në kuadër të operacionit u arrestua pronari i dyqanit, shtetasi Hysen Ramaj, 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve në subjekt u gjetën mallra të ndryshme (veshje, çanta, syze dhe ora) me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false, për të cilat 29-vjeçari nuk posedonte fatura mbi origjinën e tyre. Gjithashtu, dyshohet se nuk lëshonte kuponë tatimorë për shitjen e mallrave, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.




