Izraelitët dhe kroatët janë brenda në SPAK/ Ja dy kompanitë që “zhveshin” telefonat e sekuestruar nga BKH-ja
Ndjekja e një praktike të gjerë sekuestrimi të aparateve telefonike dhe pajisjeve të tjera kompjuterike që i përkasin qytetarëve shqiptarë dhe jo vetëm, ka sjellë një metodikë tjetër hetimore që po praktikohet çdo ditë e më tepër nga SPAK dhe jo nga prokuroritë e tjera në rrethe.
Kjo metodikë konsiderohet si befasi dhe kryhet nga agjentët e BKH-së dhe prokurorët e SPAK. Befasi që ka si efekt “blicin”, duke krijuar më parë një skenar se ti si individ je thirrur në atë godinë thjesht për një sqarim të vogël rutinor.
Gjatë këtyre 6 viteve të veprimit të SPAK në Shqipëri, telefonat dhe Lap-Topët, u janë sekuestruar personave të ndryshëm në rrugë, në shtëpi, lokale e deri në zyrat e tyre apo kasaforta.
Mjaftojnë disa dyshime të prokurorit të SPAK, se në telefonin e X zyrtari, X polici, X ushtaraku, X avokati, X mjeku, X gjyqtari, apo qoftë dhe X gazetari, gjendet prova domethënëse për hetimin e dosjes së tij, që të futen në veprim skemat e sekuestrimit të aparateve telefonike e deri tek Lap-Topët, kompjuterat dhe sendet e tjera elektronike.
Një strategji të tillë, SPAK e ripërsëriti në 1 Gusht 2024, duke ja mbledhur telefonat drejtuesve të Lartë të Policisë së Shtetit dhe drejtorit të Policisë Elbasan, pas dyshimeve se ata mund të kishin nxjerrë informacionin, lidhur me operacionin e 29 korrikut 2024 për arrestimin e 33 personave që konsideroheshin si anëtarë të grupit “Çopja” në Elbasan.
Fillimisht telefonat këqyren nga oficerët e BKH-së duke u fotografuar nëse të dhënat e tyre janë të hapura (telefona pa kod) dhe më pas kalojnë në një proces të dytë, për një ekzaminim më të rëndësishëm, që është laboratori i kibernetikës, brenda godinës së SPAK.
Këtu SPAK, ka futur teknikat dhe aplikacionet më të avancuara të kohës, të cilat shërbejnë për thyerjen e kodeve të telefonave të çdo lloji, Lap-Topëve, duke arritur që të kryejnë një proces “rrjepjeje” nga ku marrin të gjitha të dhënat e aparateve kompjuterike.
Kushdo person që shprehet duke u mburrur kafeneve se ky telefon nuk hapet dhe si merren dot të dhënat, e ka gabim.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka zbuluar se prej disa vitesh SPAK ka futur brenda godinës së tij, dy kompani të huaja, të cilat ofrojnë shërbimin dhe asistencën e tyre për të thyer kodet e telefonave dhe pajisjet e tjera kompjuterike.
Dy kompanitë private, njëra Izraelite dhe tjetra Kroate, kanë hyrë në SPAK, për të dhënë ndihmën e tyre mbi thyerjen e kodeve të pajisjeve kompjuterike dhe telefonave, çka mundëson më pas vjeljen e çdo të dhëne që mbartin në memorien e tyre këto pajisje të përdorura nga qytetarët, por që sekuestrohen nga SPAK.
Bëhet fjalë për kompaninë “Cellebrite DI Ltd” me bazë në Izrael, e cila është lider në botë në fushën e sigurisë kompjuterike, dhe kompania tjetër “INsig2 d.o.o” me bazë në Zagreb, lider në Ballkan dhe Europë.
Izraelitët e “Cellebrite DI Ltd” është një kompani me 3 pronarë e themeluar në vitin 1999 në Izrael.
Përmes kontratave sekrete të papublikuara, por të bëra me negocim të drejtpërdrejtë, këta kanë hyrë vitet e fundit në SPAK, por mësohet se ata veprojnë në 14 shtete të ndryshme, duke lidhur qindra kontrata me agjencitë e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, dhe dhënë eksperiencën e tyre në fushën e sigurisë kibernetike.
Nga ana tjetër, SPAK me procedurë sekrete ka kontraktuar dhe kompaninë Kroate me qendër në Zagreb, “INsig2 d.o.o” që drejtohet nga Goran Oparnica.
Kjo kompani është lider në Ballkan për pajisjet ekzaminuese për telefona celularë, kompjutera dhe të tjera, duke lidhur kontrata jo vetëm me SPAK, por edhe me policinë e Kroacisë, Malit të Zi etj.
Në 16 shtator 2024, për kroatët e “INsig2 d.o.o” SPAK vendosi të shpenzojë nga buxheti 36 mijë euro vetëm për rinovimin e licensave të pajisjeve dhe programeve ekzaminuese për telefona celularë, kompjuterave dhe të pajisjeve të tjera, pa llogaritur blerjen e programeve.
Kontrata pritet të shtrijë efektin shërbyes përgjatë 12 muajve të vitit 2025. Ndërkohë mësohet se kjo kompani kroate ka qenë prezente në SPAK dhe në vitin 2022, 2023, 2024.
Shërbimin për vitin 2024, kjo kompani e ka lidhur përmes kontratës të firmosur në datën 12 dhjetor 2023, kundrejt një vlere prej 34 milion lekë.
Kurse Izraelitja “Cellebrite DI Ltd” përmes një kontrate sekrete të lidhur në 18 dhjetor 2023, kanë përfituar një vlerë prej 151 milion lekë, me qëllim që përgjatë vitit 2024 të japin asistencën dhe shërbimin e rinovimit të licensave për mirëmbajtjen e pajisjeve të sektorit të ekspertizës.
Këto dy kompani zbërthejnë të gjitha telefonat që SPAK dhe BKH sekuestron, përfshirë këtu dhe pajisjet kompjuterike të tjera, duke shmangur kështu ekzaminimin e këtyre pajisjeve dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.