Ja si tentoi të arratisej nga Burgu i Fierit i dënuari me burgim të përjetshëm, Bledar Selmanaj

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Burgun e Fierit, ku i dënuari me burgim të përjetshëm, Bledar Selmanaj, tentoi të arratisej.
Selmanaj, i dënuar për vrasjen e një miku të tij, fillimisht ishte vendosur në sektorin e paraburgimit. Pas një konflikti, ai u transferua në sektorin e observimit. Pikërisht aty, duke përdorur mjete rrethanore, ai arriti të krijonte një çarje në murin ndarës të dhomës, duke dalë në sheshin e takimeve.
Më pas, duke u ngjitur me ndihmën e tubave të shkarkimit, ai arriti deri në soletën e godinës. Tentativa ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit, gjatë kohës së ndërrimit të turneve të gardianëve, kur u konstatua mungesa e tij në qeli dhe u dha alarmi.
Shenjat e ngjitjes nëpërmjet tubacionit të jashtëm ndihmuan rojet e sigurisë ta lokalizonin. Selmanaj u pikas në taracën e katit të parë dhe u ndalua menjëherë, duke u penguar kështu arratisja e tij.




