Jetë primitive në Gjerbës, Mallakastër: Uji i pijshëm, ende një luks i paarritshëm. “Çezma e Vidhajt”, i vetmi burim shprese për 120 familje.

Në fshatin Gjerbës të njësisë administrative Ballsh, “Çezma e Vidhajt” është i vetmi burim natyror uji për mbi 120 familje që jetojnë aty. Edhe pse të rrethuar nga burime dhe rezervate të shumta ujore, banorët e këtij fshati vijojnë të vuajnë prej më shumë se 30 vitesh mungesën e një shërbimi jetik: furnizimin me ujë të pijshëm.
Paradoksi është i dhimbshëm. Janë kryer dy investime madhore për ndërtimin dhe shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në çdo shtëpi, por, për arsye ende të paqarta, uji nuk ka mbërritur kurrë në rubinetat e banorëve.
“Jemi të detyruar të mbushim ujë me bidona, në çesmën dy kilometra larg. Dikush me hajvan, dikush me makinë, dhe këtë e bëjmë dy deri në tre herë në ditë. Është kthyer në një ritual të përditshëm që na vështirëson jetesën.” – thonë të revoltuar banorët.
Një nga zërat më të dhimbshëm është ai i 85-vjeçares Azyre Jaupaj, e cila, që prej moshës 16-vjeçare kur u bë nuse në këtë fshat, nuk mban mend një ditë pa bidona në sup.
“U lodha me bidona, gjithë jetën time. Nuk mbaj mend të kem parë ujë në rubinet ndonjëherë.” – thotë Azyreja me lot në sy.
Ndërkohë, kryeplaku i fshatit, Xhafo Murataj, shprehet me indinjatë:
“Është e papranueshme që në vitin 2025, banorët të mos kenë ende ujë të pijshëm në shtëpi. Kjo është një neglizhencë e rëndë ndaj një komuniteti që meriton më shumë.”
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga mungesa e reshjeve dhe thatësira e tejzgjatur, që ka bërë që edhe puset të thahen dhe të dalin jashtë funksioni. Banorët pohojnë se kërkesat dhe ankesat e tyre të shumta janë injoruar nga autoritetet vendore dhe qendrore.
Përveç mungesës së ujit, banorët e Gjerbësit përballen edhe me probleme të tjera serioze: rrugë të paasfaltuara, mungesë të energjisë elektrike të qëndrueshme dhe mungesë të infrastrukturës vaditëse. E gjithë kjo e ka kthyer këtë zonë në një vend të braktisur, të lënë në mëshirë të fatit.
Në fund, banorët ngrejnë një thirrje të fortë për ndihmë:
“Mos na harroni. Edhe ne jemi pjesë e këtij vendi. Kemi nevojë për ujë, për kushte normale jetese, për dinjitet.”




